Milan kthen fokusin nga Premier League

  • A.P /
  • 02 June 2024 - 14:43
Milan kthen fokusin nga Premier League

Koha kur Milan “fliste” vetëm gjuhën braziliane ishte shumë e artë për klubin “kuqezi” dhe vështirë që një periudhë e tillë të rikthehet sërish.

Megjithatë, sipas raportimeve të medieve italiane “Djalli” ka kthyer fokusin për merkaton e verës pikërisht nga lojtarët që vijnë nga Brazili.

Dy emrat e parë në listën e dëshirave të Milan-it për të qenë pjesë e skuadrës së sezonit të ardhshëm janë: i pari Emerson Royal, mbrojtësi i djathtë i Tottenham-it, i cili do të përforconte krahun e djathtë të mbajtur aktualisht nga kapiteni Calabria.

Shifra e kërkuar nga “Spurs” është mjaft e lartë, plot 30 milionë euro, megjithatë së fundmi klubi “kuqezi” është takuar me agjentin e tij Castagna dhe po përpiqet që të gjejnë një formë negocimi, për të bindur më pas edhe klubin anglez.

Emri tjetër është pjesë e skuadrës së Brighton, qendërmbrojtësi Igor Julio, i cili e njeh kampionatin italian, pasi dikur ka luajtur për emra si Spal dhe Fiorentina.

Ai u transferua verën e shkuar te Brighton, ndërsa numëron 30 paraqitje me “pulëbardhat”. Anglezët e blenë mbrojtësin nga Fiorentina për rreth 17 milionë euro plus 3 bonuse dhe, për këtë arsye, do të donin të rekuperonin shpenzimet nëse vendosnin ta shisnin, prandaj minimum që do të kërkonin është 20 milionë euro.

Milan përfundoi sezonin në Serie A në vendin e dytë në tabelë me 75 pikë, mirëpo pa ia kërcënuar titullin rivalit lokal, Interit.

(Kosova Sot Online)