Edon Zhegrova mund të largohet nga skuadra franceze

  • A.P /
  • 04 June 2024 - 19:47
Edon Zhegrova mund të largohet nga skuadra franceze

Futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova, mund të largohet këtë verë nga skuadra franceze Lille.

Ai duket se ka rënë në ‘radarin’ e gjigantit italian, Juventus.

Kështu të paktën po raporton gazeta italiane Tuttosport.

25-vjeçari po konsiderohet si mjaft i përshtatshëm për sistemin e lojës së trajnerit, Thiago Motta.

“Zonja e vjetër” po planifikon të rivitalizojë skuadrën e tyre në muajt e ardhshëm për t’i ofruar trajnerit të tyre të ri përforcimet e nevojshme, për të ndihmuar në mbylljen e diferencës me Interin dhe Milanin.

Drejtuesit e skuadrës nga Turin, po ashtu janë të vetëdijshëm se nevojitet një hap përpara, para rikthimit të tyre në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube.

E ardhmja e Federico Chiesas, llogaritet të jetë në dyshim tek Juventusi dhe për këtë shkak drejtori sportiv, Cristiano Giuntoli është në kërkim të një sulmuesi anësor të ri, për të forcuar vijën e sulmit të shefit të shtabit teknik të “Biaconerëve”, Thiago Motta.

Anësori kosovar e ka tërhequr vëmendjen e Juventusit dhe çmimi i tij prej 15 milionë euro e bën atë një opsion tërheqës për Giuntolin, i cili po mendon të bëjë një hap përpara për yllin kosovar në javët e ardhshme.

Edon Zhegrova ka zhvilluar një sezon fantastik me ekipin e tij Lille.

Ai dha kontribut tejet të madh që kjo skuadër të pozicionohet në vendin e katërt të Ligue 1.

Zhegrova në të gjitha garat i shënoi 12 gola dhe i bëri 10 asistime.

25 vjeçari po ashtu ishte në garë edhe për çmimin “Futbollist i vitit” në Francë.

(Kosova Sot Online)