Southgate deklarohet pas duelit: E vështirë kundër ekipeve që vetëm mbrohen, Bellingham “magjik”

  • 17 June 2024 - 11:18
Southgate deklarohet pas duelit: E vështirë kundër ekipeve që vetëm mbrohen, Bellingham “magjik”

Jude Bellingham i dhuroi Anglisë tri pikët e para në Euro 2024 me golin e realizuar ndaj serbëve, triumf që u arrit me shumë vështirësi.

Trajneri i “Tre Luanëve”, Gareth Southgate vlerësoi fitoren, ndërkohë që pranoi se dueli nuk ishte aspak i lehtë, pasi kundërshtarët vetëm mbronin sipas tij.

“Të luash përballë skuadrave që luajnë në mbrojtje është e vështirë, pasi nuk është e lehtë të krijosh raste dhe të gjesh hapësira. Megjithatë, të gjithë lojtarët tanë të sulmit bënë shumë mirë. Jam i bindur që në vijim do të arrijnë të shënojnë”, tha ai fillimisht.

Tutje, ai foli edhe për Jude Bellingham, i cili edhe u zgjedh si “Lojtari i Ndeshjes” mbrëmë.

“Bellingham? Ai është i aftë të bëjë diferencën dhe të krijojë diçka vetë. Mund të them se bëri një ndeshje shumë të mirë dhe ka një nivel tepër të lartë”, shtoi ai.

Në anën tjetër, kapiteni Harry Kane u shpreh i lumtur për fitoren, ndonëse nuk arriti që të shënonte. Pasi traversa i mohoi festën personale në pjesën e dytë.

“E dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë. Ata krijuan disa mundësi të mira, na vunë në vështirësi. Ne e merituam fitoren. Nuk duhet të harrojmë se në fazën e grupeve është i rëndësishëm vetëm kualifikimi”. 

Ndeshja e radhës për Anglinë në Euro 2024 do të jetë përballë Danimarkës. Në datën 20 qershor. Më pas takimi i fundit në grupin C kundër Sllovenisë (25)

(Kosova Sot Online )