Ja formacioni i mundshëm i Shqipërisë për duelin ndaj Kroacisë

  • A.P /
  • 18 June 2024 - 14:07
Ja formacioni i mundshëm i Shqipërisë për duelin ndaj Kroacisë

Kroacia do të jetë kundërshtari i radhës për Shqipërinë në Grupin B të “EURO 2024”.

Skuadra “kuqezi” vjen pas humbjes me Italinë, por pa humbur besimin se ka ende shpresë për të shpresuar kalimin përtej fazës së grupeve.

Trajneri Sylvinho po përgatit takimin e radhës, teksa këtë herë është treguar i kujdesshëm në seancat stërvitore për të mos zbuluar shumë lidhur me formacionin që do të hedhë në fushë në ndeshjen përballë skuadrës së Dalic.

Mediumi nga Shqipëria “SuperSport” mëson se tekniku brazilian pritet që t’i besojë Strakoshës sërish mes shtyllave, ndërsa në mbrojtje me shumë gjasa do të bëj ndryshime, përcjellë “Gazeta Express”.

Mitaj mbetet i paprekshëm në të majtë, ashtu si dhe Gjimshiti në qendër. Por, përkrah kapitenit, pritet të vendoset Ardian Ismajli. Në të djathtë, Hysaj mund t’i lërë vendin Balliut.

Mesfusha do të jetë e njëjtë si në ndeshjen me Italinë, me Ramadanin që do të pozicionohet si shkatërrues para mbrojtjes, ndërsa do të mbështetet nga Asllani dhe Bajrami.

Në sulm Asani është rikuperuar dhe është gati për të nisur që nga minuta e parë edhe ndaj Kroacisë, por ndryshimi pritet të jetë në të majtë, aty ku Arbër Hoxha mund të luajë që nga fillimi.

Në majën e sulmit Broja duket i avantazhuar që nga minuta e parë.

(Kosova Sot Online)