Gjimshiti: Në fushë duhet të jemi pak ‘të pisët’

  • A.P /
  • 18 June 2024 - 19:53
Gjimshiti: Në fushë duhet të jemi pak ‘të pisët’

Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti u shpreh se Shqipëria do të tentojë të bëjë më të mirën nesër në fushë ndaj Kroacisë dhe kuqezinjtë të marrin rezultat pozitiv.

Kapiteni foli edhe për gjendjen aktuale psikologjike të skuadrës, ndërsa tha se ekipi duhet të mos bëjë gabime në fushë.

Më tej, mbrojtësi kuqezi shtoi se duhet të tregohen më inteligjentë në fushën e lojës dhe kur të jetë e nevojshme të ulin ritmin e kundërshtarit.

Sa ndryshon Shqipëria nga Kroacia? – Kroacia është në rolin e favoritit. Besoj që u duk në ndeshjen kundër Italisë, kur kemi përballë kampion siç ishte Italia, çdo gabim i vogël ndikon. Ne duhet t’i përmirësojmë ato episode që të bëjmë më mirë ndaj Kroacisë.”

Bisedë me Pasalic? – Kur kam qenë tek Atalanta kemi bërë shaka, tani jo. Më ka thënë që Kroacia nuk ka luajtur kurrë ndaj Shqipërisë dhe do jetë një ndeshje e bukur. Jam i lumtur që do shihemi nesër në fushë së bashku.

Si është gjendja psikologjike e skuadrës? – Gjendja psikologjike është më e rëndësishme tani sesa lodhja fizike sepse ajo bën ndryshimin në lojë. Kam folur me disa lojtarë, duhet t’u japësh kurajo për ndeshjen e radhës. Nuk ishte e lehtë ndeshja e parë, kishim edhe ne pritshmëritë ndryshe. Të përmirësohemi dhe të mësojmë diçka. Kam pak më shumë eksperiencë se disa prej lojtarëve të tjerë këtu dhe mundohem t’i ndihmoj lojtarët më të rinj dhe t’u jap kurajo. Këto gjëra ndodhin, do kenë dhe shumë ndeshje të tjera në jetë që mund të jenë më ‘keq’ se ndeshja me Italinë.

Duhet të kuptojmë ritmin e lojës: E kam thënë edhe pas pjesës së parë me Italinë, duhet të jesh inteligjent në këto ndeshje, te kesh eksperiencë dhe të ndalësh ritmin e kundërshtarit sepse rivalë të këtyre niveleve të larta të bëjnë dëm dhe duhet të përmirësohemi. Në fushë duhet të jemi pak ‘të pisët’ dhe të marrim atë që meritojmë.

Kroacia nesër luan për tre pikët? – Nuk ishte ndeshje e mirë e Kroacisë ndaj Spanjës, humbën 3-0. Nuk ishte një ndeshje e lehtë as për ata dhe as për ne. Kjo është një mundësi për të reaguar për atë rezultat dhe do të jetë e vështirë si për ata si për ne. Ne do të tentojmë më të mirën dhe do të shohim se kush do të fitojë nesër.


(Kosova Sot Online)