Mediat serbe reagojnë pas ndeshjes Kroaci – Shqipëri

  • A.P /
  • 19 June 2024 - 18:22
Mediat serbe reagojnë pas ndeshjes Kroaci – Shqipëri

Kroacia e Shqipëria u përballën në një ndeshje të zjarrtë në qytetin e Hamburgut, në “Volksparkstadion”, në kuadër të Euro2024.

Ndeshja përfundoi me shifrat 2-2, e cila pati një fund dramatik, me Shqipërinë që barazoi rezultatin në minutën e 95-të të ndeshjes me anë të Klaus Gjasulës.

Golin e parë për Shqipërinë e shënoi Qazim Laçi, derisa për Kroacinë golin e gjetën Kramaric, dhe Gjasula, i cili shënoi autogol.

Mirëpo, pas krejt kësaj ngjarje, mediat serbe nuk i lanë anash as paraqitjet e dy tifozërive në tribuna, shqiptarëve dhe kroatëve.

Mediumi serb “Novosti” shkruajti:  “Vetëm ata që nuk kanë njerëzi, nuk reagojnë për skandalet që ndodhën nga tifozërt, brenda dhe jashtë stadiumit”.

“Padyshim, kishte njerëz normal në tribuna, mirëpo ata ishin nën hijen e atyre tifozëve që shprehnin zemërimin ndaj serbëve dhe shtetit të Serbisë”, shkruhej në një artikull të publikuar nga “Novosti” menjëherë pas ndeshjes.

Ky medium vazhdoi më tutje, duke thënë se shqiptarët e kroatët ishin bërë bashkë për një qëllim, “zhdukjen” e serbëve.

“Kishte mijëra tifozë që shprehnin idenë e “Shqipërisë së Madhe”, një shtet imagjinar që përfshin pjesë nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Në tribuna shiheshin edhe flamuj të “Ustasha”, që është një element kyç në formimin e Shtetit të Pavarur të Kroacisë, në të cilin janë vrarë shumë serbë e romë. Nuk mungonin as thirrjet për vrasjen e serbëve nga të dyja palët”, shtonte më tej mediumi serb.

Por ky nuk ishte reagimi i vetëm nga mediat serbe, pasi edhe mediumi tjetër “Kurir” doli me një artikull të ashpër pas ndeshjes, duke thënë se thirrjet në tribuna e bën të “shëmtuar” një lojë shumë të mirë në fushë.

Tutje, mediumi vazhdoi duke e ofenduar flamurin e UÇK-së dhe shprehi indinjatë rreth një tifozi me fytyrat e familjes heroike shqiptare, Jashari.

Shqipëria ndeshjen e ardhshme e luan të hënën ndaj Spanjës, teksa po ashtu në të njëjtën ditë luan edhe Kroacia ndaj Italisë.

(Kosova Sot Online)