Sagnol shpërthen pas eliminimit: Goli i Rodrit duhej anuluar

  • 01 July 2024 - 11:29
Sagnol shpërthen pas eliminimit: Goli i Rodrit duhej anuluar

Gjeorgjia është eliminuar nga Kampionati Evropian pasi u mposht nga Spanja me rezultat të thellë 4-1, transmeton "Kosova Sot Online".

Befasia më e këndshme e Euro 2024 kaloi e para në epërsi, megjithatë nuk arriti t’i bëj ballë sulmeve të shpeshta të spanjollëve të cilët shpejt rikthyen gjithçka nën kontroll.

Trajneri i Gjeorgjisë, Willy Sagnol është ankuar pas ndeshjes, duke thënë se goli i parë i Spanjës i shënuar nga Rodri nuk duhej të pranohej.

Një gol që shkaktoi diskutime pasi topi kaloi pranë Moratës, i cili ishte në pozicion jashtë loje dhe mund të ndikonte në fushëpamjen e portierit Mamardashvili.

Sistemi VAR ndërhyri dhe e kontrolloi këtë moment, teksa në fund u vendos që goli të pranohej. Pikërisht, ky episod nuk e lë të qetë trajnerin e Gjeorgjisë, Willy Sagnol i cili pas eliminimit theksoi se goli i Rodrit duhej anuluar.

“Ishte një pozicion i qartë jashtë loje. VAR është një instrument i shkëlqyer, problemi është se nuk dinë ta përdorin siç duhet. Nuk e kuptoj përse goli i parë i Spanjës nuk u anulua për pozicion jashtë loje”.

“Më këtë Evropian ka ndodhur që janë anuluar gola të ngjashëm, nuk më pëlqeu ajo që ndodhi. VAR nuk po përdoret mirë dhe në fund e paguajmë ne”, tha Sagnol i acaruar. 

(Kosova Sot Online )