Ibrahimovic e dërgon ish-fituesin e Ligës së Kampionëve në ekipin e të rinjve

  • A.P /
  • 08 July 2024 - 15:24
Ibrahimovic e dërgon ish-fituesin e Ligës së Kampionëve në ekipin e të rinjve

Zlatan Ibrahimovic thotë se Divock Origi dhe Fodé Ballo-Touré nuk janë pjesë e projektit të ekipit të parë, prandaj ata do të stërviten me Milan Futuro, skuadra e të rinjve të Rossonerëve që luan në divizionin e tretë të Italisë.

Origi dhe Ballo-Touré nuk janë pjesë e projektit të Milanit me trajnerin e ri Paulo Fonseca, prandaj ata do të stërviten me skuadrën e dytë të Rossonerëve, e cila u lançua zyrtarisht në fund të qershorit.

Ajo quhet Milan Futuro dhe do të luajë në divizionin e tretë të Italisë, Serie C.

“Origi dhe Ballo-Touré janë thirrur, por për Milan Futuro. Ata nuk do të jenë pjesë e ekipit të parë,” tha Ibrahimovic gjatë konferencës për shtyp të prezantimit të Paulo Fonseca të hënën në mëngjes.

Milan Futuro do të drejtohet nga ish-mbrojtësi i Milanit Daniele Bonera, ndërsa ish-drejtori i La Galaxy Jovan Kirovski do të jetë përgjegjës për Sektorin e të Rinjve të Rossonerëve nga sezoni 2024-25.

Origi, fitues i Ligës së Kampionëve me Liverpoolin, iu bashkua Rossonerëve me një transferim të lirë nga Reds në vitin 2022, por nuk u përshtat në San Siro, duke shënuar vetëm dy gola në 36 paraqitje.

Ai kaloi sezonin e fundit në huazim te Nottingham Forest, por përsëri ishte zhgënjyes, me vetëm një gol në 22 ndeshje.

Sulmuesi belg është një nga lojtarët me pagën më të lartë në San Siro me një pagë prej 4 milionë euro në vit dhe Rossonerët shpresojnë që vendimi i tyre për të përfshirë Origi në ekipin e dytë do ta shtyjë sulmuesin të largohet nga klubi këtë verë.

Ballo-Touré është kthyer nga një periudhë huazimi te Fulham, ku ai bëri vetëm tetë paraqitje në të gjitha garat në sezonin 2023-24.

(Kosova Sot Online)