UEFA e zbulon pse nuk ka ndeshje për vend të tretë në Evropian
Derisa Anglia e Spanja po bëhen gati për finalen e Kampionatit Evropian, Holanda dhe Franca kthehen në shtëpi.
Për dallim nga Kupa e Botës, në Kampionatin Evropian të Futbollit nuk ka ndeshje për vend të tretë.
Për këtë është pyetur edhe UEFA, që ka shpjeguar se ndeshja për vend të tretë është hequr nga programi në ndryshimet që janë bërë në format për “Euro 1984”. Në “Euro 1980” kishte ndeshje për vend të tretë. Ishin takuar Çekosllovakia dhe Italia. Pas barazimit 1:1, Çekosllovakia kishte fituar 9:8 me penallti.
“Ndeshja (për vend të tretë) nuk është konsideruar atraktive dhe nuk ka qenë pjesë e Kampionatit Evropian që nga atëherë”, ka thënë Konfederata Evropiane e Futbollit të enjten.
Nuk ka plane që ndeshja për vend të tretë të përfshihet në programin e Evropianit.
Kështu që përfaqësueset që mposhten në gjysmëfinale të Kampionateve Evropiane do të vazhdojnë të kthehen në shtëpi menjëherë.
Në “Euro 2024”, Franca pësoi nga Spanja, kurse Holanda humbi nga Anglia.
Ka vlerësime të ndryshme nëse duhet të ketë ndeshje për vend të tretë. Ata që janë në një linjë me UEFA-n vlerësojnë se edhe motivimi i lojtarëve është i vështirë pas humbjes në gjysmëfinale. Dhe kjo bën që ndeshja për vend të tretë mos të ketë nivelin e gjysmëfinaleve e aq më pak të finales.
Por ka të tjerë që vlerësojnë se ndeshja për vend të tretë është e mirë. Përfundimi i Evropianit në vend të tretë do të kishte vlerë më të madhe se përfundimi si gjysmëfinalist.
Shumë përfaqësuese e shumë lojtarë mburren që kanë përfunduar në vendin e tretë në Botëror. Për shembull, Kroacia në vitin 2022 e 1998. Belgjika mburret me vendin e tretë në Botërorin 2018.
Gjermania ka përfunduar në katër raste e treta në Botëror.
Por prej lojtarëve aktualë asnjëri nuk mund të mburret me vendin e tretë në Evropian. Ata që nuk kualifikohen në finale mund të mburren me arritje në gjysmëfinale, përkatësisht me kualifikimin në katër më të mirët.
(Kosova Sot Online)