Xherdan Shaqiri i dha shumë gjatë 14 vjetëve Kombëtares së Zvicrës
Xherdan Shaqiri njoftoi sot për pensionimin nga Kombëtarja e Zvicrës, të cilës i dha shumë gjatë 14 vjetëve sa luajti atje.
Ylli kosovar i ka zhvilluar 125 ndeshje me Helvetikët, ndërsa i ka shënuar në total 32 gola.
Dhe, mediat zvicerane, përfshirë këtu edhe gjigantët “Blick” e “20min.ch”, i kanë dhënë jehonë të madhe vendimit të futbollistit nga Zhegra e Gjilanit për t’i thënë lamtumirë Kombëtares.
Shaqiri ka dhënë gola fantastikë me Zvicrën, të cilët nuk do të harrohen asnjëherë, ndërsa u konsiderua edhe si një përfaqësues dhe një ambasador i Kosovës dhe i shqiptarëve, të cilët i prezantonte po ashtu kudo.
Gjithashtu, mediat zvicerane e kanë përmendur edhe faktin se selektori Murat Yakin i dha shumë pak raste në Euro 2024, ndërsa në ndeshje me Anglinë hyri në lojë vetëm në minutën e 109-të e në tri nga pesë ndeshjet e Europianit nuk u paraqit fare.
Ai shënoi gol ëndrrash në ndeshje me Skocinë, i cili ishte historik për të pasi u bë lojtari i vetëm që shënon gol në gjashtë turne të mëdhenj (Europianë/Botërorë) radhazi.
Pa dyshim, Xherdan Shaqiri konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë në histori të Zvicrës, por edhe në histori të Kosovës.
(Kosova Sot Online)