Klubi i Premierligës e do Brojën
Southamptoni mbetet i interesuar për sulmuesin shqiptar të Chelsea-t, Armando Broja, i cili është i tepërt në “Stamford Bridge”, raporton “Sky Sports”.
Broja pati një huazim zhgënjyes te Fulham në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, duke u paraqitur vetëm tetë herë dhe duke dështuar të shënonte për “Cottagers”.
Pavarësisht përvojës zhgënjyese, shqiptari ka tërhequr interesin e disa klubeve këtë verë, përfshirë Evertonin dhe Milanin.
Sidoqoftë, Sky Sports ka sugjeruar që Southamptoni aktualisht është skuadra që shfaq interesin më të madh për të rimarrë 22-vjeçarin, i cili ka luajtur një vit i huazuar në sezonin 2021/22 te kjo skuadër.
Drejtuesit e Southamptinit duan të blejnë një sulmues për të shtuar konkurrencën ndaj dyshes Adam Armstrong-Ross Stewart pas skadimit të kontratës së Che Adams.
Broja konsiderohet një opsion i mundshëm me Chelsean që supozohet se është i gatshëm të hyjë në bisedime për këtë lëvizje, transmeton SS.
Broja, i rritur në akademinë e Chelsea-t, është huazuar në tri raste nga blutë e Londrës. Lojtari i lindur në Slough shënoi njëmbëdhjetë gola në 34 paraqitje me Vitesse Arnhem, në Holandë, gjatë sezonit 2019/20, përpara se të impresiononte me Southamptonin sezonin pasues.
Gjatë periudhës së tij në bregun jugor, ndërkombëtari shqiptar shënoi nëntë gola dhe u etiketua “i rrezikshëm” nga trajneri i atëhershëm Ralph Hasenhuttl.
“Shenjtorët” tentuan ta mbanin edhe një vit tjetër, por Broja zgjodhi të provonte shansin te Chelsea.
Këputja e ligamentit të gjurit e ndaloi rritjen e tij të mëtejshme te blutë, pasi mbeti jashtë fushës për 10 muaj.
Broja nuk ka arritur të bindë drejtuesit e Chelsea-t, kështu që tani po përballet me një largim nga klubi i tij i fëmijërisë. Everton thuhet se është pretendent i fortë për të nënshkruar me sulmuesin, ndërsa Milani gjithashtu po monitoron situatën e lojtarit.
Sidoqoftë, Sky Sports ka treguar se një rikthim te Southamptoni është më se i mundshëm, pasi sulmuesi shqiptar ka kujtime të bukura nga përvoja e mëparshme më këtë skuadër.
Chelsea thuhet se dëshiron 35 milionë paundë për sulmuesin, një tarifë që ka të ngjarë të ulet nëse “shenjtorët” do të këmbëngulin në mënyrë aktive për të përfunduar nënshkrimin.
(Kosova Sot Online)