Benzema zgjedh të preferuarin e tij për “Topin e Artë”
Sulmuesi francez Karim Benzema të hënën në një intervistë për “Marca” e ka zbuluar të preferuarin e tij për Topin e Artë për vitin 2024.
Benzema është duke e përkrahur brazilianin Vinicius Junior që ta fitojë Topin e Artë, trofeun kryesor individual në futboll.
“Do të them Vinicius sepse e meritoi sezonin e kaluar. Por jo vetëm për këtë, por edhe për atë që bëri sezonin para tij. Ai ishte mbi të tjerët, është futbollist i kompletuar. Ai mund t’i fitojë ndeshjet vetë. Sigurisht, me ndihmën e shokëve të skuadrës, por ai është shumë i mirë kur Reali ka nevojë për të dhe kjo është arsyeja pse ai e meriton Topin e Artë. Ai shfaqet gjithmonë kur duhet. Vini është i preferuari im”, deklaroi Benzema.
Braziliani Vinicius në edicionin e kaluar me Real Madridin e fitoi Ligën e Kampionëve dhe La Ligën. Në 39 ndeshje me fanellën e “Los Blancos” shënoi 24 gola dhe bëri 11 asistime. Me përfaqësuesen e Brazilit në Kupën e Amerikës u eliminua në çerekfinale.
(Kosova Sot Online)