Armando Sadiku bëhet me skuadër të re
Armando Sadiku është bërë me skuadër të re. Sadiku ka nënshkruar për ekipin nga India, FC Goa.
Sulmuesi shqiptar kështu nuk ndryshon kampionat, por vetëm ekip, pasi sezonin e kaluar u paraqit për Mohun Bagan, me të cilët doli nënkampion.
Edicionin e shkuar, sulmuesi mori dy trofe me Mohun Bagan, duke qenë një element i rëndësishëm për skuadrën, ndonëse u mund në finalen e madhe të titullit në fazën play-off.
Sadiku u shpreh i emocionuar për bashkimin me FC Goa.
“Jam i emocionuar që bashkohem me Goan, një ekip që e konsideroj si ndër më të mirët në Indi. Kam dëgjuar vetëm gjëra të mira për klubin dhe vendin nga të gjithë me të cilët kam folur. Kundër Goas, sezonin e kaluar, kam përjetuar drejtpërdrejt cilësinë dhe organizimin e fortë në mbrojtje të ekipit. Pasi fola me trajnerin Manolo dhe CEO-n Ravi Puskur dhe kuptova planet e tyre për sezonin, u binda plotësisht. E njoh trajnerin Manolo nga koha e tij tek UD Las Palmas në Spanjë dhe besoj se mentaliteti i tij do të më përfitojë shumë këtë sezon. Qëllimi im është të kontribuoj në çdo mënyrë të mundshme për të ndihmuar skuadrën të fitojë të gjithë trofetë për të cilët po konkurrojmë dhe të shënoj më shumë gola sesa kam bërë në sezonin tim të parë në Indi”, theksoi Sadiku.
Sadiku shënoi 8 gola në kampionatin e rregullt, paraqitje që kanë bindur drejtuesit e Goa për t’i bërë një ofertë.
Ai ka nënshkruar kontratë për edicionin 2024/25, ndërsa është prurja e tretë i huaj i klubit këtë verë.
(Kosova Sot Online)