Lexoni edhe:
Mënyra se si i menaxhoni aplikacionet mund ta dëmtojë jetëgjatësinë e baterisë së telefonit tuaj
E shtuna do të sjellë emocione të papërshkrueshme për sportistët dhe tifozët e Kosovës, teksa boksierja Donjeta Sadiku do të bëjë paraqitjen e saj në arenën e madhe të Olimpiadës së Parisit 2024, transmeton "Kosova Sot Online ".
Donjeta do të ngjitet në ring në orët e mbrëmjes, për t’u përballuar me boksieren nga Tajlanda, Thananya Somnuek, në kategorinë -60 kg. Ky meç do të nisë në orën 21:00 dhe premton të jetë një spektakël i vërtetë.
Ndërkaq, kundërshtarët e tyre i kanë mësuar edhe garuesit e Kosovës në xhudo, për duelet e të dielës, të hënës dhe të martës.
Siç pritej, kampionia olimpike Distria Krasniqi (-52 kg) dhe Laura Fazliu (-63 kg) janë bartëse të grupeve dhe kalojnë pa luftë raundet e para.
Distria do të paraqitet të dielën në orën 10:00 në raundin 1/16, ndërsa Nora Gjakova (-57 kg) do të përballet në raundin e parë me garuesen Enkhriilen Lkhagvatogloo të Mongolisë të martën.
Akil Gjakova (-73 kg) do të zbresë në tartam të hënën ku do të përballet me brazilianin Daniel Cargnin në luftën e parë.
Ndërkaq, Loriana Kuka (-78 kg) do të takohet në raundin e parë me Metka Lobnik të Sllovenisë, të mërkurën.
Garat e xhudos në secilën ditë nisin në orën 10:00 dhe do të transmetohen drejtpërdrejt në RTK. Në rast se garuesit kosovarë kalojnë me sukses raundet e para, atëherë në raundet finale do të prezantohen pasditen e secilës ditë garuese.
(Kosova Sot Online )