Nadal: Ndoshta nuk do të luaj më

  • E.k /
  • 01 August 2024 - 18:42
Nadal: Ndoshta nuk do të luaj më

Rafael Nadal dhe Carlos Alcaraz nuk shkuan më shumë se çerekfinalja në lojën dyshe të tenisit në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Dyshja spanjolle u eliminua nga dyshja amerikane Austin Krajicek dhe Rajeev Ram në dy sete me shifrat 6-2 dhe 6-4, duke i dhënë kështu fund ëndrrës për medalje të artë.

Pas ndeshjes, Nadal ngriti dyshimet se kjo mund të ishte edhe sfida e fundit në karrierë me 38-vjeçarin që u shpreh shumë i paqartë sa i takon të ardhmes.

Nuk e besoj se do të marrë pjesë në US Open, por këtë vendim me siguri që do ta zyrtarizoj së shpejti. Nuk mund të jap shumë përgjigje konkrete për të ardhmen, më duhet kohë. Për mua është pak e vështirë dhe nëse kjo ishte hera e fundit në fushë, atëherë jam shumë i lumtur dhe mirënjohës për të gjithë mbështetjen që tifozët më dhuruan. Ndjeva dashuri dhe vlerësim nga momenti i pari deri në të fundit. Për mua Parisi dhe fusha këtu është shumë speciale.

Nëse do të isha para 10 vitesh do të kisha krijuar kujtime shumë të bukura me Alcaraz, por e di se do të ndajmë sërish momente të bukura. Unë do ta mbështes atë nga kolltuku i shtëpisë dhe i uroj më të mirën. Luaj apo nuk luaj sërish, unë e dashuroj tenisin”, u shpreh Nadal.

(Kosova Sot Online)