Bayerni dëshiron ta shesë Davies

  • A.P /
  • 05 August 2024 - 16:06
Bayerni dëshiron ta shesë Davies

Alphonso Davies nuk e ka sqaruar ende të ardhmen e tij, por paqartësia e tij mund të transformohet në realitet absolut në ditët në vazhdim.

Mbrojtësi i majtë kanadez qe disa muaj është në shënjestër të Real Madridit dhe në Spanjë vazhdojnë të qarkullojnë zërat për një marrëveshje eventuale të transferimit të tij në Madrid në verën e vitit 2025.

Por, klubi gjerman duket se nuk është i të njëjtit mendim.

Sipas mediumit spanjoll “Sport”, gjiganti bavarez gjithmonë e ka pasur dëshirën për ta shitur në këtë afat kalimtar, sepse ta humbasë një lojtar të tillë pa para në verën e ardhshme do të ishte një goditje e madhe për klubin e Bundesligës, përcjell “Gazeta Express”.

Porta e transferimit të tij në Madrid në këtë verë është ende e hapur, ndërsa “Los Blancos” po mendojnë ta bëjnë tentimin e fundit për ta transferuar atë në fund të gushtit, shton mediumi spanjoll.

Trajneri Carlo Ancelotti e do lojtarin sa më shpejt të jetë e mundur në “Santiago Bernabeu” dhe mundësia e transferimit të tij në kryeqytetin spanjoll në këtë verë është konkrete, por gjithçka do të varet se sa para do t’i kërkojë klubi më i madh gjerman për të.

Lojtari s’e ka ndërmend ta vazhdojë kontratën me klubin nga “Allianz Arena” dhe largimi i tij nga Bavaria duket të jetë më se i mundshëm. 

(Kosova Sot Online)