Chelsea shet për 40 milionë euro mesfushorin anglez

  • A.P /
  • 05 August 2024 - 20:08
Chelsea shet për 40 milionë euro mesfushorin anglez

Conor Gallagher ka pranuar të bashkohet me Atlético Madridin.

Mesfushori anglez i Chelsea-t, i lindur në vitin 2000, ka dhënë miratimin e tij për transferimin te klubi spanjoll, i cili ka shfaqur interes konkret për nënshkrimin e lojtarit sidomos në këto ditë të fundit të merkatos.

Marrëveshja u finalizua. Javën e kaluar “Blutë” kishin pranuar një ofertë prej 33 milionë paundësh (rreth 40 milionë euro) nga Atlético, por kishte shumë dyshime nëse lojtari do të kishte pranuar të largohej nga Londra për të zbarkuar në Ligën Spanjolle.

Gallagher, i cili nuk ka shkelur kurrë jashtë Anglisë, u ka komunikuar drejtuesve të skuadrës bardhekuqe synimin e tij për të nënshkruar me ta.

Chelsea i kishte ofruar një kontratë dyvjeçare me opsion edhe për 12 muaj të tjerë mesfushorit anglez, i cili kishte refuzuar për shkak të kohëzgjatjes së kontratës dhe rolit që do të kishte në skuadër.

Kështu, pas 18 vitesh në hijen e “Stamford Bridge”, Gallagher ndërpreu lidhjet me Chelsea-n, duke i dhënë lamtumirë trajnerit të ri, Enzo Maresca, pa shumë bujë.

Siç pritej, Chelsea preferoi të shiste Gallagherin jashtë Anglisë, duke i dhënë mundësinë Atletico të merrte një lojtar shumë cilësor, por me çmim relativisht të ulët.


(Kosova Sot Online)