Felix është shndërruar në objektivin e madh të Aston Villas
“Ëndrra angleze” për Joao Felix.
Sulmuesi portugez u rikthye tek Atletico Madrid pas huazimit te Barcelona, pavarësisht dëshirës së tij të madhe për të vijuar me katalanasit.
Karriera e 24-vjeçarit pritet të vazhdojë në Premier League, aty ku e kërkon Aston Villa.
Skuadër kjo që sezonin e ri do të garojë në grupet e Champions League.
Klubi nga Birminghami po përgatit një ofertë prej 60 milionë eurosh, aq sa është edhe shumë që kërkon Atletico për të lënë të lirë portugezin.
Joao Felix është shndërruar në objektivin e madh të Aston Villas dhe teknikut Unai Emery.
Me spanjollin që e cilëson si zëvendësuesin perfekt të Moussa Diaby, i cili është shitur në Arabinë Saudite tek Al-Ittihad për 60 milionë euro.
Shumë u përfol edhe për një rikthim të Joao Felix te Benfica, klubi i tij i zemrës.
“E pamundur të paguajmë shumën që kërkon Atletico. Do të na pëlqente ta rikthenim Joaon, por një gjë e tillë nuk ka mundësi të ndodhë”, theksoi Manuel Rui Costa, presidenti i “Shqiponjave të Lisbonës”.
Benfica e shiti sulmuesin tek Atletico Madrid për 127 milionë euro në korrikun e vitit 2019.
(Kosova Sot Online)