Muriqi flet para ndeshjes me Real Madridin

  • A.P /
  • 18 August 2024 - 15:21
Muriqi flet para ndeshjes me Real Madridin

Vedat Muriqi  nis sezonin e tij të tretë (të dytin të plotë) te Real Mallorca. ‘Pirati’, idhulli në Son Moix, ëndërron një tjetër finale të Kupës ose të surprizojë në Superkupën e Arabisë, por fillimisht analizon pikat kryesore të projektit të ri me Jagoba Arrasate në stolin e trajnerit. Ai është i bindur se klubi është në rrugën e duhur për të qenë në ‘top 10’ të LaLigës.

Sulmuesi kosovar ka dhënë një intervistë për Marcan:

Ky është sezoni juaj i katërt te Mallorca dhe i treti që nga fillimi. A ju ka kaluar shpejt? Nga jashtë duket sikur keni qenë këtu gjithmonë…

Është e vërtetë, ndihem kështu. Koha kalon shumë shpejt. Si unë, ashtu edhe familja ime jemi shumë mirë këtu, gjithashtu jemi mësuar të jetojmë këtu. Jam i lumtur, krenar që mund të luaj për këtë ekip. Ky është sezoni im i tretë dhe tani do të shohim çfarë do të ndodhë këtë vit… sepse në futboll asnjëherë nuk dihet. Shpresoj të jetë një sezon si ai i kaluar, kur arritëm në finalen e Kupës. Shpresojmë të arrijmë diçka të ngjashme këtë vit.

A ju ka dhënë ishulli stabilitetin që kërkonit?

Gjithmonë kam thënë se klubi meriton fjalë të mëdha për këtë sepse më bëri të mbijetoj si futbollist. Isha në një moment të keq te Lazio, pa luajtur për një vit e gjysmë, sidomos në gjashtë muajt e fundit. Kur erdhi oferta nga Mallorca, gjithmonë kam pasur shumë dyshime. Kisha disa opsione, por Mallorca ishte më e mira. Nuk jam penduar kurrë. Që nga fillimi jam ndjerë si në shtëpi. Jam shumë i kënaqur dhe shpresoj të jetë për shumë vite.

Që nga janari, pasaportat kosovare pranohen në kufijtë e Spanjës. A jua ka lehtësuar gjërat për familjen tuaj për të ardhur në ishull?

Është një çështje politike. Spanja i pranon pasaportat për të ardhur për udhëtim, por për të nxjerrë rezidencën ende jo. Për këtë duhet kohë, por një pjesë e familjes sime ka arritur ta zgjidhë këtë falë klubit, i cili më ka ndihmuar shumë.

Cili është objektivi për këtë sezon?

Klubi po rritet shumë çdo vit, është diçka që më pëlqen si lojtar i Mallorca-s. Kemi një skuadër të mirë dhe klubi, çdo vit, bën përforcime që, me të gjithë respektin, tre-katër vjet më parë ishin pothuajse të pamundura. Nuk duhet të fluturojmë, por mund të jemi në top 10 në një periudhë të shkurtër, që do të ishte shumë mirë për ne.

Po për ju personalisht?

Për mua, nëse në tre-katër vjet vazhdojmë kështu, mund të jemi një nga klubet që janë në situatën e Osasunës ose Villarrealit. Nuk mund të them top 5, sepse do të ishte një gënjeshtër, është e vështirë, por në pak kohë mendoj se mund të arrijmë në pozicione që të entuziazmojnë shumë njerëz.

Cila është dëshira juaj për këtë sezon? Thatë që dëshironi një titull…

Shpresojmë të përsërisim mundësinë për të luajtur një tjetër finale. Dhe nëse mund ta fitojmë… do të ishte e mrekullueshme. Do të më pëlqente të luaja një tjetër finale. Thashë Kupën sepse të fitosh LaLigën, duke qenë të sinqertë, është pak e vështirë [qesh]. Nuk duhet të vuajmë në LaLiga, kjo është gjëja e parë. Por shpresoj të prek fushën përsëri në një finale me Mallorcën.

(Kosova Sot Online)