Courtois ia mbyll derën kombëtares me një mesazh goditës, do të kthehet vetëm me një kusht

  • s.a /
  • 23 August 2024 - 08:40
Courtois ia mbyll derën kombëtares me një mesazh goditës, do të kthehet vetëm me një kusht

Njëri nga portierët më të mirë në botë, ylli i Real Madridit, Thibaut Courtois ka konfirmuar se refuzon të rikthehet në Kombëtaren e Belgjikës, derisa drejtohet nga trajneri Domenico Tedesco, transmeton "Kosova Sot Online ".

Courtois ia mbylli derën kombëtares belge me një mesazh goditës në rrjetet sociale, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit në rast të ndryshimit të trajnerit.

“Dua t’u drejtohem tifozëve belgë dhe mbështetësve të kombëtares sonë. Ndjej dashuri dhe krenari të pamasë që përfaqësoj vendin tim në fushë. Ndihem i privilegjuar që kam pasur nderin të vesh fanellën e kombëtares. Edhe në ëndrrat e mia më të çmendura nuk mund ta imagjinoja që do ta bëja më shumë se 100 herë”.

“Për fat të keq, pas ngjarjes me trajnerin dhe shumë reflektimeve, kam vendosur të mos kthehem në kombëtaren e Belgjikës nën drejtimin e tij. Në këtë çështje, unë pranoj pjesën time të përgjegjësisë. Megjithatë, duke parë përpara, mungesa e besimit tim tek ai nuk do të kontribuonte në ruajtjen e atmosferës së nevojshme të përzemërsisë. Federata, me të cilën kam folur disa herë, e pranon vendimin tim dhe arsyet më kanë çuar në këtë vendim të dhimbshëm, por logjik”.

“Më vjen keq që ndoshta kam zhgënjyer disa tifozë, por jam i bindur se kjo është mënyra më e mirë e veprimit për Belgjikën, pasi mbyll një debat dhe lejon skuadrën të fokusohet në ndjekjen e qëllimeve të saj. Faleminderit për mbështetjen, dashurinë dhe mirëkuptimin tuaj të palëkundur”, ka shkruar Courtois.

Marrëdhënia e tij me Tedescon ka qenë e acaruar prej disa kohësh, duke kulmuar pas ndeshjes kundër Austrisë në qershor të vitit 2023.

Romelu Lukaku më pas mbajti shiritin e kapitenit për të në mungesë të kapitenit të rregullt Kevin De Bruyne, duke bërë që Courtois të zemërohej.

Portieri i Real Madridi më pas u largua nga kampi i Kombëtares Belge dhe nuk u kthye më, dhe humbi Kampionatin Evropian në Gjermani. 

(Kosova Sot Online )