Interesim i madh për të përjetuar rikthimin e Shaqirit
Baseli do të jetë nikoqir i Yverdonit në xhiron e pestë të elitës së futbollit të Zvicrës. Në letër, nuk është ndonjë ndeshje e madhe, por kërkesa është e tillë. Natyrisht, pasi Xherdan Shaqiri pritet ta zhvillojë ndeshjen e parë me fanellën e Baselit pas një kohe të gjatë.
Shaqiri ditë më parë u prezantua te Baseli, pas transferimit si futbollist i lirë nga Chicago Fire. Dhe të dielën pritet të luajë në ndeshjen që nis në orën 16:30.
32-vjeçari ka nisur stërvitjet me skuadrën prej të martës, ndërsa trajneri i skuadrës së madhe zvicerane, Fabio Celestini, ka thënë se ai është në formë të lartë. Ka konfirmuar se do të jetë pjesë e skuadrës.
Mediumi tjetër zviceran “Sport.ch”, ka shkruar të premten se biletat për ndeshjen ndaj Yverdonit janë shitur thuajse të gjitha.
Stadiumi i Baselit, “St. Jakob-Park”, ka kapacitet prej rreth 39 mijë ulëseve. Të dielën pritet të jetë i stërmbushur për ta parë nga afër njërin prej lojtarëve më të mirë të futbollit zviceran.
Shaqiri ndeshjen e fundit me fanellën “kuqeblu” të Baselit, e ka zhvilluar më 23 maj të vitit 2012. Ishte paraqitja e tij e 130 me Baselin zviceran. Ndeshjen e 131-të pritet ta luajë më 25 gusht.
Shaqiri me marrëveshje të dyanshme e ndërpreu kontratën me skuadrën e ligës MLS, Chicago Fire, ndërsa te Baseli u kthye pas 12 vjetësh, aty ku e nisi karrierën në vitin 2007.
Karrierën e pasur si futbollist e vazhdoi te Bayern Munichu, ndërsa ishte edhe pjesë e Interit, Stoke Cityt, Liverpoolit dhe Lyonit.
Ai ka fituar shumë trofe të rëndësishëm në karrierë.
Dy herë është fitues i Ligës së Kampionëve, me Liverpoolin dhe Bayern Munichun. Me gjigantin anglez e ka të fituar edhe Premier Leaguen dhe Kupën e Botës për Klube. Trofeun e Kupës së Botës për Klube e ka të fituar edhe me Bayern Munichun, skuadër me të cilën ishte tri herë fitues i Bundesligës dhe dy herë Kupës së Gjermanisë.
Dy herë futbollisti më i mirë në Zvicër u shpall tri herë kampion me Baselin, ndërsa e fitoi dy herë edhe Kupën e Zvicrës me po të njëjtën skuadër.
Është edhe dy herë fitues i Superkupës së Evropës dhe një herë fitues i Superkupës së Gjermanisë.
(Kosova Sot Online)