Sterling ka refuzuar një ofertë të çmendur për të kompletuar transferimin tek Arsenali

  • s.a /
  • 31 August 2024 - 16:38
Sterling ka refuzuar një ofertë të çmendur për të kompletuar transferimin tek Arsenali

Raheem Sterling besohet se ka refuzuar një prej kontratave më luksoze që ka parë bota e futbollit ndonjëherë.

Sterling kompletoi transferimin e tij në formë huazimi tek Arsenali nga Chelsea në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, pasi mbeti jashtë planeve të trajnerit të ri Enzo Maresca.

29-vjeçari ka fituar katër tituj të Ligës Premier, por ka refuzuar një ofertë sipas të cilës do të bëhej njëri prej futbollistëve më të paguar në glob.

 

Mirror Sport ka raportuar se reprezentuesi anglez kishte marrë një ofertë prej 500 mijë eurosh në javë për t’iu bashkuar një klubi në Arabinë Saudite i cili nuk është bërë i ditur për opinionin.

Një ndër arsyet që besohet se e ka shtyrë Sterling ta refuzojë këtë ofertë është për shkak se ka ambicie që ta ‘ringjallë’ karrierën e tij para Botërorit të vitit 2026 aty ku shpreson të marrë ftesë nga Anglia.

“Është një ndjenjë e pabesueshme. Jam shumë i emocionuar, ishte një ndër lëvizjet që shpresoja të ndodhte. Shikoni gjithçka, unë po ndihem sikur ky vend është ideali për mua, jam shumë i lumtur”, ka thënë Sterling.

Ish-ylli i Liverpoolit pasi u zyrtarizua si lojtar i ‘Topçinjve’ pranoi se drejtori sportiv i Arsenalit, Edu Gaspar, ka luajtur një rol kyç në vendimin e tij për t’iu bashkuar atyre.

(Kosova Sot Online )