Rexhbeçaj reagon pas humbjes, premton rikthim të fuqishëm

  • A.P /
  • 07 September 2024 - 17:05
Rexhbeçaj reagon pas humbjes, premton rikthim të fuqishëm

Elvis Rexhbeçaj debutoi mbrëmë me fanellën e kombëtares së Kosovës në ndeshjen që “Dardanët” e humbin ndaj Rumanisë me rezultat 3-0.

Futbollisti i Augsburgut luajti gjatë gjithë ndeshjes.

Gjatë ditës së sotme përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ai ndeshjen e mbrëmshme e ka quajtur të veçantë për të.

“Dje, për mua ishte një moment i veçantë, loja e parë me fanellën e Kosovës. Jam krenar që kam mundësinë të përfaqësoj vendin tim”, ka shkruar ai.

Ai më tutje ka kërkuar faljen për rezultatin dëshpërues të kombëtares ndaj rumunëve, por ka një mesazh të fortë për ndeshjet e ardhshme.

“Rezultati nuk ishte ai që të gjithë e dëshironim, dhe për këtë ju kërkojmë falje. Por jemi të vendosur të kthehemi më të fortë! Na presin sfida përpara. Me përkushtim, dedikim dhe punë do të arrijmë më të mirën”, ka shtuar më tej Rexhbeçaj.

Ylli Kosovar në fund falenderoi dardanët për përkrahjen.

“Faleminderit për përkrahjen e dashurinë. Bashkë do të kthehemi tek fitoret”, përfundoi 26-vjeçari.

Elvisi e nisi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme me skuadrën e tij Augsburgun ku realizoi dy gola në tri ndeshje.

Kosova ndeshjen e ardhshme e luan të hënën ndaj Qipros me fillim nga ora 18:00.

(Kosova Sot Online)