Barça e përfundoi pagesën për Dembelen

  • A.P /
  • 12 September 2024 - 13:44
Barça e përfundoi pagesën për Dembelen

Në Barcelonë janë shumë të paktë njerëzit që e vlerësojnë dhe e duan Ousmane Dembelen, duke e pasur parasysh se si shkuan gjërat në ndeshjen me Paris Saint-Germainin.

Tifozët “Blaugrana” e vërshëllyen dhe e fyen sa herë që e mbante ai topin.

Ndërkohë, futbollisti francez u hakmor keq dhe e nxori një penallti dhe shënoi edhe gol, duke e kualifikuar ekipin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Sipas mediumit gjerman “Bild”, befasues është lajmi i fundit, i cili zbulon se Barça e ka kryer veç tash pagesën e fundit për transferimin e tij nga Borussia Dortmundi, duke e pasur parasysh se në marrëveshje ishin paraparë disa bonuse, përcjell “Gazeta Express”.

Verdhezinjtë i kanë inkasuar tërësisht 148 milionë euro, një shifër “monstruoze”, mbi të gjitha nëse krahasohet me kontributin i cili realisht nuk ishte prej më të dëshiruarve nga francezi.

Karriera e Dembeles numëron 185 paraqitje dhe 40 gola me Barcelonën, 50 ndeshje e 10 gola me Borussia Dortmundin, 45 ndeshje e 7 gola me Paris Saint-Germainin dhe 29 ndeshje e 12 gola me Rennes.

Sulmuesi anësor ka luajtur me ekipet U-17, U-18, U-19 e U-21 të Francës, përpos Kombëtares A, ku i ka zhvilluar 51 ndeshje dhe i ka realizuar 6 gola.

Në vitrinën e tij janë: 1 Kupë e Botës, 3 kampionate spanjolle, një Ligue 1, një Kupë e Gjermanisë, 2 Kupa të Spanjës, një Kupë e Francës, 2 Superkupa të Spanjës dhe një Superkupë e Francës. 

(Kosova Sot Online)