Sezoni i ri i Ligës së Kampionëve do të nisë sot

  • A.P /
  • 17 September 2024 - 11:42
Sezoni i ri i Ligës së Kampionëve do të nisë sot

Për herë të parë në histori të kësaj gare, nga edicioni 2024/25 nuk do të ketë më fazë të grupeve, ndërsa nga 32 tash e tutje do t’i kemi 36 ekipe pjesëmarrëse.

Secila skuadër do t’i ketë tetë ndeshje në ligën e re me tetë kundërshtarë të ndryshëm, prej tyre 4 ndeshje do t’i luajë në shtëpi e 4 në udhëtim.

Për dallim nga vitet e kaluar, kur Championsi luhej veç të martën e të mërkurën, nga ky edicion do të kemi ndeshje gjatë tri netëve: të martën, të mërkurën dhe të enjten.

Sonte do të zhvillohen gjashtë ndeshje, prej tyre 4 nga ora 21:00.

Pa dyshim, derbi i natës do të jetë ai mes Milanit dhe Liverpoolit.

“Rossoneri” në fundjavë e shijuan fitoren e parë sezonale dhe do ta kërkojnë të dytën në duel me “Reds”.

Këta të fundit kanë udhëtuar drejt Italisë me synim fitoren, po ashtu.

Dinamo Zagrebi i Arbër Hoxhës do të ketë punë të vështirë me Bayern Munichun në “Allianz Arena”.

Kurse, Real Madridi do ta nisë rrugëtimin për mbrojtjen e titullit të kampionit evropian në shtëpi kundër Stuttgartit.

E Lille i Edon Zhegrovës do ta vizitojë Sporting Lisbonën në Portugali.

Paraprakisht, natën e sontme e nisin dy ndeshje: Juventus – PSV Einthoven dhe Young Boys – Aston Villa.

Nesër dhe pasnesër na presin po ashtu ndeshje interesante në garën më prestigjioze të futbollit evropian. 

(Kosova Sot Online)