Zhegrova e zbulon çelësin e suksesit ndaj Realit

  • A.P /
  • 03 October 2024 - 11:50
Zhegrova e zbulon çelësin e suksesit ndaj Realit

Edon Zhegrova e ka zbuluar çelësin e suksesit të Lillet, i cili e mposhti mbrëmë Real Madridin me rezultat minimal, 1:0 në ndeshjen e vlefshme për fazën e ligës në Ligën e Kampionëve.

Ylli kosovar e bëri një paraqitje fantastike, me ç’rast edhe u shpall lojtari i ndeshjes.

Ai e nxori penalltinë, përmes së cilës vendësit e fituan ndeshjen, por ishte edhe i pandalshëm për madrilenët me depërtime të shkëlqyeshme.

E pas lojës, 25 vjeçari ka folur për faqen zyrtare të UEFA-s, duke e shprehur gëzimin e tij për fitoren dhe për paraqitjen individuale, ndërsa i zbuloi edhe faktorët që ndikuan në arritjen e fitores së madhe ndaj madrilenëve, përcjell “Gazeta Express”.

“Mendoj se shpirti i ekipit tonë e bëri diferencën. Secili dha gjithçka nga vetja, në secilën pozitë. Kjo ishte ajo që e kërkoi trajneri sepse e dimë që Real Madridi ka kualitet të madh. Por, mendoj se ishte shpirti i ekipit dhe të gjithë së bashku, që e bëri diferencën.”

“Besoj se, nëse vazhdojmë kështu, me të njëjtin mentalitet dhe të njëjtin shpirt, shpresoj se mund të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur.”

“Por, ne e dimë se Liga e Kampionëve është një garë e madhe me ekipe të mëdha, por duhet të mundohemi ta fitojmë çdo lojë.”

Zhegrova paraprakisht foli edhe për faqen zyrtare të ekipit të tij, Lille pasi e mori çmimin si lojtari i ndeshjes.

“Përshëndetje të gjithëve. Është një ditë historike për ne. Jam mjaft krenar me ekipin, jam shumë i lumtur për fitoren. I falënderoj të gjithë tifozët për përkrahjen e madhe. Shumë dashuri për të gjithë.”

(Kosova Sot Online)