Foda do të mbajë sot konferencë për shtyp në prag të ndeshjeve të tetorit
Selektori i Kosovës, Franco Foda do të mbajë sot konferencë për shtyp në prag të ndeshjeve të tetorit.
Dardanët do të përballen me Lituaninë në udhëtim më 12 tetor, ndërsa tri ditë më pas, respektivisht më 15 të këtij muaji do ta presin Qipron në stadiumin e rihapur “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Këto ndeshje do të jenë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Federata e Futbollit të Kosovës njofton se trajneri Foda do ta mbajë konferencën për shtyp sot duke filluar nga ora 12:30 në hotel “Emerald”.
Ndërsa, më pas gjatë ditës do të nisë edhe grumbullimi i ekipit, i cili mund të kompletohet nesër, shkaku i angazhimeve që i kishin dje dhe mbrëmë disa lojtarë të Kombëtares.
Në këtë grumbullim Kosovës do t’i mungojë sulmuesi kryesor, Vedat Muriqi, i cili është i lënduar.
Kosova i ka grumbulluar tri pikë në grup duke humbur muajin e kaluar në shtëpi nga Rumania (0:3) dhe më pas duke e mposhtur Qipron në udhëtim (4:0).
Dardanët synojnë ta mbyllin grupin si liderë në Ligën C, Grupi 2.
(Kosova Sot Online)