
Spanja humbet edhe sulmuesin kryesor

Sulmuesi i Spanjës, Nico Williams, i bashkohet listës së gjatë të top-lojtarëve të kombëtareve të ndryshme, të cilët nuk do të mund të luajnë në dy ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve për shkak të dëmtimeve, pak a shumë të rënda.
“Ylli” i Euro 2024, i cili luan për Athletic Bilbaon, u dëmtua në ndeshjen e Europa League-s kundër AZ Alkmaar dhe, megjithëse u paraqit në kampin stërvitor të kombëtares, u kthye në klubin e tij për të vazhduar rikuperimin.
Në vend të tij u thirr lojtari i Real Sociedadit, Sergio Gomez, fitues i medaljes së artë në Paris me kombëtaren olimpike iberike.
Spanja, e cila ka shumë mungesa të rëndësishme, kryesisht Rodri dhe Carvajal, fillimisht do të përballet me Danimarkën, kryesuese e grupit të tyre me pikët maksimale, e më pas me Serbinë, e cila, nga ana tjetër, nuk do të mund të llogarisë Dushan Vlahovicin, i cili mbeti në Torino për arsye fizike.
(Kosova Sot Online)