Federata e Anglisë ende s’ka nisur bisedimet për trajnerin e ri
Federata e Futbollit e Anglisë ende s’e ka intervistuar askënd për pozitën e selektorit te kombëtarja A, pavarësisht spekulimeve rreth Thomas Tuchel.
Kërkimi i Anglisë për një trajner është vënë në fokus më të madh, pas humbjes – për herë të parë në histori – nga Greqia.
Lee Carsley u përzgjodh si trajneri i përkohshëm, pas dorëheqjes së Gareth Southgate.
“Daily Telegraph” ka raportuar gjatë ditës së sotme se asnjë kandidat ende s’është intervistuar nga shtëpia e futbollit anglez.
Këtë javë, ish-trajneri i Chelseat dhe Bayernit, Thomas Tuchel është emëruar si kandidat i mundshëm për pozitën e selektorit të Anglisë, derisa të lidhur me këtë pozitë janë edhe Graham Potter e Eddie Hoëe.
Megjithatë, federata angleze nuk ka folur me asnjërin, derisa nuk mohohet se edhe Pep Guardiola është një “kandidat i ëndrrave” për Anglinë.
Kjo do të thotë që FA mund të presë deri në fund të sezonit, e të shoh nëse Guardiola do të vazhdojë apo jo kontratën me Cityn.
Ndonëse janë ndërmarrë disa hapa në drejtim të kandidatëve nga Federata e Anglisë, ata ende s’janë kontaktuar formalisht nga ky institucion.
Aplikimet për këtë pozitë (edhe përmes LinkedIn) janë mbyllur më 2 gusht, derisa Federata angleze po e merr kohën e botës për të vendosur rreth këtij pozicioni.
Pas humbjes nga Greqia, Anglia do të udhëtojë për në Helsinki, ku do të përballet me Finlandën.
(Kosova Sot Online)