Behrami tregon se çka po i mungon Zvicrës

  • A.P /
  • 14 October 2024 - 08:08
Behrami tregon se çka po i mungon Zvicrës

Tri humbje në tri ndeshje të Ligës së Kombeve. Ky është bilanci i Zvicrës pas paraqitjes shumë të mirë në Evropianin në Gjermani.

Në shtator helvetikët pësuan 2:0 nga Danimarka e më pas 4:1 nga Spanja. Të shtunën mbrëma në Leskovc, Zvicra pësoi 2:0 nga Serbia. Gjatë ndeshjes kishte thirrje të shumta kundër Kosovës e po ashtu fishkëllima ndaj Granit Xhakës. Para ndeshjes u fishkëllye edhe himni i Zvicrës. Zviceranët kanë shkruar për sjelljet e tifozëve serbë, por më shumë u morën me formën e dobët të Përfaqësueses së tyre.

Gazeta e madhe zvicerane “20 Minuten” të dielën mbrëma publikoi një analizë të Valon Behramit, ish-mesfushorit luftarak e të suksesshëm të Zvicrës.

Behrami ka bërë një analizë për rënien e formës së Zvicrës dhe për gjërat që duhen të ndryshohen para ndeshjes që zhvillohet të martën ndaj Danimarkës në St. Gallen.

“Humbja ndaj Serbisë është e rëndë. Fazën hapëse të ndeshjes e kishim të mirë. Serbët kishin respekt për ne. Mund të vërehej kujdesi i tyre, përmbajtja. Kanë luajtur njëjtë ndaj Spanjës. Por ne kemi dështuar të shfrytëzojmë frikën e tyre. Nuk e kemi lexuar ndeshjen mirë”, ka shkruar Behrami.

Sipas tij, Serbia nuk u ka lënë shumë hapësirë lojtarëve të Zvicrës dhe për këtë arsye është dashur të luhej më shumë nga krahët. Behrami vlerëson se loja e Zvicrës ishte shumë qendrore. Ai vlerëson se stili i lojës së Zvicrës është gati i njëjtë me atë në Evropian dhe se Serbia ishte e gatshme për këtë.

Ish-mesfushori ka drejtuar gishtin nga Murat Yakini, duke thënë se plani i lojës duhet të jetë i qartë dhe i strukturuar.

“Urgjentisht duhet të paraqitemi më mirë. Serbia nuk e fitoi këtë ndeshje me ndonjë kryevepër taktike. As serbët nuk kishin plan të qartë në sulm, por ishin të disiplinuar në mbrojtje. Ajo që u ndihmoi të fitojnë ishte dëshira, mentaliteti, zjarri. Dhe është pikërisht ky zjarr që mungoi te ne. Duket që pas Evropianit kemi humbur shpirtin që na bëri aq të fortë. E kam ndjenjën që nuk po i njohim problemet tona. Është lehtë të thuhet pas humbjes që ishin vetëm disa gjëra të vogla që kanë munguar. Nëse beson në këtë, bëhet edhe më e vështirë për të adresuar problemin e vërtetë”, ka shkruar tutje Behrami.

39-vjeçari Behrami i ka 83 ndeshje për Zvicrën. Është paraqitur në shumë ngjarje të mëdha. Mendimi i tij vlerësohet në Zvicër.

Ai thotë se helvetikët duhet të mësojnë nga gabimet e shfaqura në ndeshjen ndaj Serbisë.

“Ne kemi kualitet dhe lojtarët kanë potencial. Tani është te trajnerët që të gjejnë planin e duhur për lojë. Është detyrë e tyre të shtyjnë ekipin në drejtimin e duhur. Na duhet qartësi, disiplinë, shpirt luftarak dhe mbi të gjithë zjarri që na ka munguar së fundi. Një gol në kohën e duhur nuk do të bënte dëm”, vlerëson Behrami.

Në Përfaqësuesen e Zvicrës pranojnë se nuk janë në formën që e kishin në Evropian. Por vlerësojnë se gjendja nuk është e rëndë sa paraqitet në media.

“Sa u takon rezultateve, qartë se nuk jemi në anën e mirë. Nuk ishim të mirë sa ishim në Evropian. Por nuk jemi aq keq sa duket”, ka thënë të dielën Giorgio Contini, asistenti i parë i selektorit Yakin. Ai foli të dielën për televizionin zviceran.

“Ne nuk ishim efikas përpara dhe kemi bërë gabime shumë në mbrojtje. Por ekipi synon të reagojë. Përkushtimi për këtë ekziston”, ka shtuar Contini.

Ai ka paralajmëruar ndryshime në formacion për ndeshjen ndaj Danimarkës.

(Kosova Sot Online)