Guardiola flitet se do ta marr drejtimin e kombëtares së Anglisë!
Pep Guardiola ka qenë në kontakt për të marrë rolin e trajnerit të ardhshëm të kombëtares së Anglisë dhe pritet të vendosë për të ardhmen e tij në javët e ardhshme.
Mësohet se Federata e Futbollit (FA) ka bërë kontakte joformale me katalanasin në fillim të këtij sezoni. Ndërsa FA po shqyrton edhe kandidatë të tjerë dhe nuk ka marrë ende një vendim për një pasardhës të përhershëm të Gareth Southgate, Guardiola do të ishte zgjedhja kryesore nëse ai vendos të përfundojë periudhën e tij te Manchester City. Lee Carsley, i cili u caktua si trajner i përkohshëm, nuk pritet të jetë në garë për këtë rol.
Guardiola, i cili ende nuk i është përgjigjur FA-së, është pa kontratë në fund të sezonit dhe nuk ka vendosur ende për lëvizjen e tij të ardhshme. Manchester City dëshiron që 53-vjeçari të zgjasë qëndrimin e tij në Etihad Stadium në një dekadë të plotë.
Kur u pyet për të ardhmen e tij të dielën, Guardiola tha në emisionin italian Che Tempo Che Fa: “Largimi nga City? Nuk është e vërtetë, ende nuk kam vendosur. Dhe nuk është e vërtetë as që unë do të jem trajneri i ardhshëm i Anglisë. Nëse do të kisha vendosur, do të thoja… As unë nuk e di, gjithçka mund të ndodhë.”
Asnjë nuk i përshtatet më mirë kritereve të përcaktuara në njoftimin e punës së FA-së, të postuar në korrik, se sa Guardiola. Në të thuhej se organi drejtues kërkon një trajner me “përvojë të konsiderueshme në futbollin anglez, me një rekord të fortë në arritjen e rezultateve në Premier League dhe/ose në udhëheqjen e garave ndërkombëtare” si dhe dikë “me përvojë në identifikimin, menaxhimin dhe zhvillimin e lojtarëve të kualifikuar për Anglinë”.
(Kosova Sot Online)