
KOK - FFK’së: Hiq dorë nga presioni mbi drejtësinë

Komiteti Olimpik i Kosovës i është kundërpërgjigjur FFK, të cilës i ka bërë thirrje publike të heq dorë nga presioni dhe ta respektoj vendimin e KAS-it që i dha të drejtë padisë së FC Prishtinës ndaj FFK-së.
KOK ia kujton FFK-së se ka qenë vet ajo që e ka propozuar Eroll Salihun për kryetar të të KAS-it.
Më poshtë mund të shikoni reagimin KAS-it…
“KAS është një organ i pavarur, i cili zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme e KOK-ut dhe funksionon në përputhje me legjislacionin sportiv dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë sportive. Anëtarët që e përbëjnë KAS-in zgjidhen po ashtu nga Asambleja e KOK-ut për ciklin olimpik 2021-2025 dhe pikërisht z. Eroll Salihu, si kryetar i KAS-it, është propozuar nga FFK-ja për anëtar, sikurse anëtarët tjerë nga federatat tjera”.
“KAS-i nuk është i KOK-ut, siç pretendon FFK-ja dhe nuk i raporton KOK-ut, siç nuk i ka raportuar as në vendimin e fundit ndaj FFK-së, e as vendimeve paraprake ndaj federatave tjera. Pra, KOK nuk ndërhyn në proceset vendimmarrëse të KAS-it dhe nuk ndikon në vendimet e tij, duke respektuar në tërësi autonominë e këtij institucioni”.
“KAS-i vepron si një organ arbitrazhi i pavarur që adreson konfliktet e ndryshme në fushën sportive dhe vepron në përputhje me standardet ligjore për të garantuar drejtësi për të gjitha palët”.
“Kërcënimet dhe presionet për shqyrtim të anëtarësisë në KOK, për shkak të një vendimi të KAS-it, janë të papranueshme dhe të cilat tentojnë të ndikojnë në rolin e KAS-it dhe pavarësinë e tij. KAS funksionon në mënyrë të pavarur nga çdo institucion tjetër dhe mbetet i përkushtuar në zbatimin e drejtësisë sportive”.
“KOK-u i bën thirrje të gjitha federatave, përfshirë FFK-në, që të respektojnë parimet e drejtësisë sportive dhe të shmangin çdo lloj presioni që mund të cenojë pavarësinë e KAS-it”.
(Kosova Sot Online)