Lukaku nderohet në Napoli

  • A.P /
  • 02 November 2024 - 13:38
Lukaku nderohet në Napoli

Një kopsht zoologjik në Napoli e ka nderuar yllin e Napolit, duke ia vendosur emrin e tij një jaguari të porsalindur.

Ish-sulmuesi i Chelseat dhe Manchester United është bërë tejet i famshëm në qytetin e Napolit, qëkur u transferua këtë verë.

Ai ka treguar paraqitje mjaftë të mirë me klubin e Napolit në këtë fillimsezoni në Serie A, duke fituar kështu zemrat e shumë tifozëve napoletanë.

Kështu, për të treguar dashurinë e tyre ndaj belgut, ata kanë vendosur që t’ia vendosin emrin e tij një jaguari të porsalindur.

Kopshti zoologjik me emrin “Lo Zoo di Napoli” e konfirmoi këtë në rrjetin social “Instagram”, ku kishte postuar një foto të jaguarit të vogël.

Duke e shpjeguar këtë vendim, menaxherja e kopshtit, Dr. Fiorella Saggese ka thënë: “Kopshti zoologjik është shumë afër stadiumit, ne përjetojmë çdo ndeshje dhe jemi tifozë të mëdhenj të futbollit. Është një nder ndaj Napolit dhe u urojmë sukses gjatë këtij sezoni”.

Ribashkimi i Romelu Lukakut me Antonio Conte ka qenë një sukses deri më tani, me sulmuesin që ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar pesë asistime në nëntë ndeshje në të gjitha garat.

“Blutë” nga Napoli janë në një seri prej gjashtë ndeshjeve me fitore, derisa do të rikthehen në aksion këtë të diel me ndeshjen ndaj Atalantas.

(Kosova Sot Online)