Foda: Nëse duam të arrijmë vendin e parë në grup, duhet ta fitojmë këtë ndeshje

  • A.P /
  • 15 November 2024 - 11:46
Foda: Nëse duam të arrijmë vendin e parë në grup, duhet ta fitojmë këtë ndeshje

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka thënë se po qe se Kosova dëshiron arritjen e vendit të parë në grup, atëherë duhet që ta mposhtë Rumaninë.  

Në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, Foda ka theksuar rëndësinë e një paraqitjeje të fuqishme dhe agresive në fushë.

“Është e rëndësishme që të paraqitemi mirë edhe si skuadër, të jemi më agresiv, të jemi në zotërim të topit, dhe kur nuk e kemi, të tentojmë ta marrim sa më shpejt. Nëse duam të arrijmë vendin e parë në grup, duhet ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Foda.

Për shkak të disa mungesave të rëndësishme, trajneri i Kosovës ka njoftuar se do të ketë ndryshime në qasje dhe taktikë: “Duke pasur parasysh mungesat që kemi, do të detyrohemi të bëjmë disa ndryshime taktike dhe në mënyrën e qasjes ndaj kundërshtarit”, ka thënë ai.

Foda gjithashtu ka kërkuar respekt nga kundërshtarët. “Detyra ime është ta përgatis ekipin. Vitin e kaluar nuk kam qenë trajner, por kemi parë respekt nga ekipet kombëtare edhe në kampionatin evropian, andaj pres respekt edhe nesër nga Rumania”, është shprehur ai.

Ndeshja Rumani – Kosovë do të zhvillohet të premten në Bukuresht dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga RTK. Në ndeshjen e parë në Prishtinë, Rumania kishte fituar me rezultat 3-0. Aktualisht, Grupi 2 në Ligën C kryesohet nga Rumania me dymbëdhjetë pikë, ndërsa Kosova ndjek me nëntë pikë, pasuar nga Qipro me tri pikë dhe Lituania pa pikë.


(Kosova Sot Online)