
Kanë një sërë yjesh në skuadër por mund të forcohen edhe më shumë

Kanë një sërë “yjesh” në skuadër, ama duket se mund të forcohen edhe më shumë. “Katalanasit” e Barcelona janë prej kohësh në krizë financiare dhe e kanë pasur goxha të vështirë për të transferuar lojtarë.
Por, kjo nuk i ndalon për të afruar lojtarë me parametra zero.
“Shkatërruesi” Thomas Partey i Arsenal dhe “bomberi” kanadez i Lille, Jonathan David janë në “radarët” e “Blaugranave”, me drejtorin sportiv të klubit, portugezin Deco që ka nisur negociatat për të afruar lojtarët pa shpenzuar para, në përfundim të kontratave me klubet respektive, që skadojnë në fundin e këtij sezoni.
Sa i përket mundësisë së realizimit të këtyre transferimeve, Partey tashmë është kthyer në një lojtar stoli tek Arsenal dhe mendohet se dëshiron një aventurë të re, pavarësisht se Mikel Arteta e detyroi të qëndrojë në Londër, gjatë merkatos së verës.
Në krahun tjetër, Jonathan David duket të jetë gati për “hapin e madh” në karrierë me “bomberin” e sulmit, i cili e ka njoftuar klubin se do të largohet si lojtar i lirë në fundin e sezonit, teksa deri më tani ka shënuar 9 gola e ka asistuar 2 të tjerë në 11 përballje.
(Kosova Sot Online)