Vojvoda: Ne mundohemi ta ndihmojmë ekipin sa më shumë

  • A.P /
  • 19 November 2024 - 09:41
Vojvoda: Ne mundohemi ta ndihmojmë ekipin sa më shumë

Kombëtarja e Kosovës e mbylli mbrëmë grupin në Ligën e Kombeve me një fitore kundër Lituanisë me rezultat minimal, 1:0.

E kësaj fitoreje iu gëzua mbrojtësi anësor, Mërgim Vojvoda, i cili në dy ndeshjet e nëntorit luajti në krahun e majtë duke i pasur parasysh mungesat e Leart Paqaradës dhe Donat Rrudhanit.

Futbollisti i Torinos foli edhe për ndryshimet në ekip që u bënë në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë duke i pasur parasysh mungesat e shumta.

“Ne mundohemi ta ndihmojmë ekipin sa më shumë. E preferoj pozitën kur luaj majtës si në këto dy ndeshje, e ndjej veten pak më mirë. Kryesorja është fitorja sonte”, u shpreh pas lojës futbollisti drenicas.

“Për mua nuk është aspak e vështirë. Jemi mësuar, edhe në klub luaj me lojtarë të ndryshëm. Secili prej lojtarëve e ka dëshmuar vetën, nuk ka rëndësi a është i ri apo i vjetër. Secili e ka treguar vetën dhe komplimente për ata djemtë”, vazhdoi 29 vjeçari.

Falë këtij trepikëshi, Kosova arriti në kuotën e 12 pikëve, derisa i ka 4 fitore e 1 humbje, ndërsa është në pritje të vendimit të UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë kundër Rumanisë të premten që shkoi. 

(Kosova Sot Online)