Guardiola do ta vazhdojë për një vit kontratën me Cityn
Pep Guardiola e ka ndërmend ta vazhdojë eksperiencën në Manchester City.
Trajneri spanjoll është dakorduar me “Citizens” për vazhdimin e kontratës së paku për një sezon tjetër.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat britanike.
Ish-trajnerit të Barcelonës dhe Manchester Cityt do t’i skadojë kontrata me klubin nga “Etihad Stadium” në fund të këtij sezoni, por ai e ka ndërmend të vazhdojë të qëndrojë tek “Qytetarët”, të cilët i kishte marrë në dorë që nga viti 2016.
City e ka fituar gjashtë herë titullin në Premierligë në shtatë vjet dhe e fitoi një herë Ligën e Kampionëve me Guardiolën.
53 vjeçari kështu do të qëndronte në sezonin e tij të 10-të nëse vazhdon të punojë në Premierligë.
Guardiola në dy rastet e kaluara e kishte vazhduar kontratën me Cityn pikërisht në muajin nëntor gjatë pushimit për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve.
Nën drejtimin e trajnerit katalunas, City u bë ekipi i parë që e fiton katër herë radhazi titullin në Premierligë.
Gjithashtu, e drejtoi këtë ekip në vitin 2023 për ta fituar “treshen” e trofeve, Premierligën, Ligën e Kampionëve dhe FA Cup, gjë të cilën e kishte arritur vetëm Manchester United paraprakisht në vitin 1999.
Në të njëjtin vit, City me Pep e kishte fituar edhe Botërorin e Klubeve dhe Superkupën e Evropës.
(Kosova Sot Online)