Suedia po planifikon të ankohet ndaj vendimit të UEFA-s për lojën Rumani – Kosovë

  • A.P /
  • 21 November 2024 - 12:36
Suedia po planifikon të ankohet ndaj vendimit të UEFA-s për lojën Rumani – Kosovë

UEFA vendosi dje në favor të Rumanisë për ndeshjen e ndërprerë ndaj Kosovës të premten e kaluar, duke i gëzuar rumunët me një fitore me rezultat zyrtar, 3:0.

E ky vendim u kundërshtua fuqishëm nga Federata e Futbollit të Kosovës, e cila paralajmëroi se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv – CAS në Lozanë.

Por, Kosova nuk është e vetmja palë e pakënaqur dhe që konsideron se u dëmtua nga Komisioni Disiplinor i shtëpisë së futbollit evropian.

Nga ky vendim është prekur edhe Suedia pasi me fitoren ndaj Kosovës, Rumania u bë ekipi më i mirë i Ligës C në Ligën e Kombeve në përgjithësi dhe iu rritën gjasat për t’u kualifikuar në Kupën e Botës.

Me një barazim mes Rumanisë dhe Kosovës, Suedia në fakt do të ishte ekipi më i mirë i Ligës C, por me këtë vendim e bëri një hap prapa pasi suedezët e mbyllën grupin me 16 pikë, kurse rumunët me 18.

E suedezët, të cilët u prekën nga ky vendim, kanë paralajmëruar po ashtu se do të ankohen ndaj vendimit të UEFA-s, të cilin e konsiderojnë si të padrejtë dhe duke e favorizuar një palë.

Pse është aq e rëndësishme të jesh ekipi më i mirë i Ligës që i takon?

Katër fituesit e Ligave, A, B, C e D, të cilët nuk përfundojnë në dy vendet e para në kualifikimet e rregullta të Botërorit, do ta kenë mundësinë që të luajnë në “play-off” për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, duke iu bashkuar në këtë fazë 12 ekipeve kombëtare që do të përfundojnë në vendet e dyta në grupe të eliminatoreve.

Për këtë arsye, suedezët nuk e përjashtojnë mundësinë e ankesës.

“Ne po shpresonim që vendimi i UEFA-s të vinte para lojës sonë”, deklaroi menaxheri i Kombëtares, Stefan Petterson pas fitores së Suedisë të martën mbrëma, përcjell “Gazeta Express”.

E menaxheri i futbollit në Federatën Suedeze të Futbollit, Kim Källström thotë se kjo Federatë po i shqyrton krejt opsionet e saj, duke mos e përjashtuar mundësinë e ankesës.

“Pas fitores sonë ne e kemi pritur njoftimin e UEFA-s për rezultatin e ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës. Tash erdhi vendimi, i cili nga ana e jonë është negativ. Vendimi ka të bëjë kryesisht me skuadrat e përfshira, por jemi duke e shqyrtuar mundësinë e ankesës. Është e trishtueshme që sjellja jashtë fushës ka një ndikim në rezultatin sportiv dhe kjo ndikon si në skuadrat e përfshira, ashtu edhe tek ne”, u shpreh Källström.

Kombëtarja e Kosovës u tërhoq nga fusha në fundin e ndeshjes me Rumaninë në Bukuresht teksa rezultati ishte i barabartë, 0:0.

Thirrjet raciste ndaj ekipit Dardan bënë që lojtarët të vendosin të mos kthehen më në fushë dhe gjyqtari e mbylli kështu lojën pas një pritjeje prej afro 50 minutash. 

(Kosova Sot Online)