
Edoardo Bove del nga salla e operimit

Edoardo Bove e shokoi botën e futbollit pak ditë më parë kur u shemb në tokë në ndeshjen mes Fiorentinës dhe Interit.
Futbollisti italian pësoi sulm në zemër dhe të gjithë iu frikësuan më së keqes.
Por, fatmirësisht gjërat shkuan më mirë se që pritej dhe lojtari dalëngadalë po e merr veten.
Mediat italiane raportojnë se, ashtu siç pritej, Bove iu nënshtrua në mëngjesin e sotëm një intervenimi kirurgjik për vendosjen e defibrilatorit nënlëkuror.
Operacioni u krye me sukses në repartin e aritmologjisë në spitalin Careggi në Firence.
22 vjeçari gjendet i shtruar në këtë spital që nga e mërkuar e kaluar pas kolapsit që e pësoi në fushën e blertë më 1 dhjetor në duel me “Nerazzurri”.
Me këtë rast, futbollisti pritet të lirohet nga spitali mes së enjtes dhe të shtunës së kësaj jave.
Atij i nevojitet të pushojë një kohë dhe më pas konstatimet e mjekëve do të tregojnë nëse do të jetë në gjendje apo jo t’i rikthehet më futbollit.
Natyrisht, me defibrilator ai do ta ketë të vështirë të luajë më në Itali pasi Federata Italiane e ka ndaluar një gjë të tillë.
Falë intervenimit të stafit mjekësor të dy klubeve, Fiorentinës e Interit, Bove mbërriti në institucionin shëndetësor me një problem që rezultoi të ishte i natyrës kardiake.
(Kosova Sot Online)