
Ancelotti: I kam 14-15 lojtarë, si të bëj rotacione!

Carlo Ancelotti është ankuar në konferencën e fundit për shtyp të tij përpara sfidës së sontme me Rayo Vallecanon.
Trajneri i Real Madridit është i brengosur për numrin e madh të lëndimeve që i kanë pësuar lojtarët e tij.
Në 23 ndeshje në të gjitha garat janë pësuar 27 lëndime, që i bie më shumë se një lëndim për ndeshje.
E kjo ka bërë që trajneri italian të mos ketë mundësi as t’i pushojë lojtarët pasi një pjesë e mirë e tyre kanë përfunduar “në emergjencë”.
“Është e vërtetë. Mund të bëj rotacione nëse i kam lojtarët e duhur, por nëse e kam një skuadër prej 14 apo 15 lojtarësh, është e vështirë të bëj rotacione. Po flisni për Endrick, të cilit i jap pak minuta, bla bla bla…, por është një lojtar shumë i ri që duhet të përshtatet, të përmirësohet. I bëj vetëm dëm nëse e fus në lojë kur jemi në vështirësi”, u shpreh “Don Carlo”.
Ky sezon është njëri prej më të vështirëve në karrierën e Ancelottit.
Si kampion spanjoll dhe evropian, krejt presioni ka rënë mbi të pasi tifozët e duan përsëritjen e sukseseve.
“Nuk mendoj për këtë, duhet ta bëj punën time sa më mirë që mundem. Do ta bëj këtë, pavarësisht vështirësive, dëmtimeve… Me stafin teknik dhe stafin mjekësor do ta shohim se si mund t’i përmirësojmë gjërat për të konkurruar dhe luftuar deri në fund. Me kalimin e kohës, gjërat po përmirësohen. Jemi shumë të entuziazmuar për rikthimin e Alabas, i cili është afër gjendjes optimale”, përfundoi trajneri i shumë klubeve të njohura evropiane.
(Kosova Sot Online)