
Sergio Ramos nuk e ka gjetur ende klubin e ri

I lirë pas përfundimit të marrëveshjes me Sevillën, e cila skadoi në muajin qershor, qendërmbrojtësi Sergio Ramos nuk e ka gjetur ende klubin e ri.
Sipas “TyC Sports”, spanjolli e ka refuzuar në orët e fundit një ofertë që i erdhi nga Boca Juniors, ku ish-bashkëlojtari i tij tek Real Madridi, Fernando Gago, trajner i ekipit argjentinas qe dy muaj, është munduar ta bindte atë që të përfundonte në Amerikën e Jugut,.
Me kalimin e javëve, çdo herë e më shumë po zbehet mundësia që ta shohim kampionin e Evropës dhe të botës në fushën e blertë.
38 vjeçari e ka zhvilluar ndeshjen e fundit zyrtare më 26 maj të vitit 2024 duke e bartur shiritin e kapitenit të Sevillës në humbjen 1:2, e cila e mbylli një sezon dëshpërues të ekipit andaluzian.
Në sezonin 2023-24, ish-futbollisti i Realit i ka zhvilluar 37 ndeshje (të gjitha si titullar), duke i realizuar 7 gola dhe duke e dhuruar 1 asistim.
Nga ajo kohë, Ramos nuk e ka gjetur më ekipin e ri dhe, për momentin, mbetet pa kontratë.
Nuk përjashtohet mundësia që veterani i mbrojtjes ta gjejë një angazhim të ri në afatin kalimtar të janarit.
(Kosova Sot Online)