Superliga e futbollit do ta mbyllë perden e këtij viti

  • A.P /
  • 20 December 2024 - 08:37
Superliga e futbollit do ta mbyllë perden e këtij viti

Superliga e futbollit do ta mbyllë perden e këtij viti me ndeshjet që do të luhen në këtë fundjavë.

Pesë çiftet e xhiros së 18-të do ta kompletojnë vitin e ngjeshur 2024

Kjo javë do të nisë të premten me ndeshjen mes Llapit dhe Dukagjinit.

Të dy ekipet kanë nevojë më shumë se kurrë për pikë për t’i ikur pjesës së poshtme të tabelës.

Llapjanët vijnë nga seria e zezë prej 10 ndeshjesh pa fitore dhe duan të dimërojnë paksa më të qetë me një fitore eventuale në “Zahir Pajaziti”.

Ata e shohin veten në vendin e tetë me 17 pikë, sa i ka edhe Ferizaj, i cili gjendet në pozitën që çon në Ligën e Parë.

Nga ana tjetër, klinasit janë tri pikë më lart, por pa ndonjë siguri apo qetësi.

Prandaj, ekipi i gjelbër do të shkojë në Podujevë për të nxjerrë pikë dhe për t’i ikur sadopak pjesës së skuadrave të rrezikuara.

Të shtunën do të luhen dy ndeshje të tjera të kësaj xhiroje.

Dueli kryesor i ditës pa dyshim se do të jetë ai mes Prishtinës dhe Malishevës.

Të dy ekipet kanë mbetur goxha prapa kreut të tabelës dhe fokus i tyre është që ta sigurojnë një vend që çon në garat evropiane.

Bardhekaltrit me një fitore eventuale do t’i barazonin me pikë malishevasit.

Nga ana tjetër, ekipi i Bekim Isufi me një fitore në kryeqytet do ta “gozhdonte” pozitën e tretë.

Ndërkohë, Ferizaj s’ka asnjë opsion pos fitores ndaj Gjilanit të shtunën nëse dëshiron t’i shmanget pozitës së parafundit në tabelë.

Kurse, gjilanasit i hyjnë kësaj loje të motivuar pas fitores në derbin e Anamoravës me Dritën dhe do të kërkojnë pikë tek komshinjtë.

Të dielën do të luhen dy ndeshjet e fundit të kësaj xhiroje dhe të këtij viti në përgjithësi.

Liderja Drita s’ka vend më për gabime nëse dëshiron t’i mbajë larg ndjekësit.

Pas humbjes në derbin e qytetit, “Intelektualët” do ta shohin si një mundësi këndelljeje sfidën me Feronikelin 74, për ta mbajtur avantazhin prej së paku 7 pikësh, sa e kanë tash ndaj Ballkanit.

Mirëpo, ekipi i Zekirija Ramadanit s’do të ketë punë aspak të lehtë pasi përpara do ta ketë ekipin e motivuar nga Drenasi, të cilit i janë rritur shpresat për të mbetur në ligë pas rezultateve pozitive të ndeshjeve të fundit.

Në fund, derbi therandas Suhareka – Ballkani, shkruan “Gazeta Express”.

Debutuesi i Superligës vjen nga dy fitore të mëdha që i regjistroi javën e kaluar kundër Llapit e Malishevës.

Andaj, të përzgjedhurit e trajnerit Qëndrim Kida do të mundohen ta vazhdojnë këtë “ëndërr” me një fitore kundër rivalit lokal, për ta kaluar një dimër të qetë.

Kurse, kampioni i Kosovës s’guxon të “kiksojë” më nëse dëshiron t’i bëjë presion lideres Drita dhe ta zë atë eventualisht në xhirot e ardhshme.

Të gjitha ndeshjet e xhiros së 18-të do të nisin në orën 13:00.

Superliga më pas do të rikthehet në muajin shkurt me pjesën e dytë të sezonit. 

(Kosova Sot Online)