A u largua Di Maria nga Reali me urdhër të gruas së tij?
Në dekadën e kaluar, Angel Di Maria ishte njëri prej lojtarëve më të mirë dhe ndër kryesorët tek Real Madridi.
Ylli argjentinas kishte shkëlqyer në “Santiago Bernabeu” në periudhën katërvjeçare, ndërsa aty ishte transferuar në vitin 2010 nga Benfica.
Mirëpo, për çudi të të gjithëve, përfaqësuesi argjentinas vendosi të largohej në verën e vitit 2014 për t’iu bashkuar Manchester Unitedit.
Kjo pa dyshim ishte diçka e papritur, por tash po dalin gjërat në pah, shkruan “Gazeta Express”.
Në fakt, portieri legjendar argjentinas, Hugo Gatti i ka zbuluar arsyet e largimit të Di Marías nga “Mbretërit”, 10 vjet më parë.
“Di Maria u largua nga Real Madridi për shkak se gruaja e tij dëshironte të largohej prej aty. Ky është problemi me lojtarët: kur karrierat e tyre kontrollohen nga gratë e tyre, gjërat bëhen më të komplikuara”, deklaroi Gatti.
Di Maria kishte qëndruar në Manchester United vetëm një vit për të vazhduar më pas në Paris Saint-Germain, ku luajti shtatë vjet.
Tutje, iu bashkua Juventusit për një vit dhe nga vera e vitit 2023 u rikthye në Benfica, ku luan edhe sot.
Di Maria e kishte nisur karrierën në Rosario Central në vitin 2005, ku luajti për dy vjet, deri më 2007, për ta nisur më pas një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme në Evropë.
E njëjtë si Leo Messi, ai e realizoi ëndrrën jetësore duke u shpallur kampion i botës me Argjentinën në Botërorin 2022.
(Kosova Sot Online)