Barça i fton Olmon e Victorin për Superkupë

  • A.P /
  • 06 January 2025 - 13:50
Barça i fton Olmon e Victorin për Superkupë

Edhe pse nuk e kanë marrë ende licencën për të luajtur për Barcelonën shkaku i vendimit të marrë bashkërisht nga La Liga dhe nga Federata Spanjolle e Futbollit, Dani Olmo e Pau Victor janë përfshirë në listën e të ftuarve të trajnerit Hansi Flick për Superkupën e Spanjës.

Katalunasit do ta marrin sot rrugën drejt Jeddah, ndërsa të mërkurën do të luajnë në gjysmëfinale të kësaj gare kundër Athletic Bilbaos, derisa gjysmëfinalja tjetër do të jetë ajo mes Real Madridit dhe Mallorcës së Vedat Muriqit, që do të luhet të enjten.

Barça kështu e konfirmoi betejën e saj kundër institucioneve të futbollit spanjoll, të cilat e kanë hedhur poshtë vazhdimin e licencave për dy lojtarët me arsyetimin se “dokumentacioni që është dashur ta dorëzonte klubi për t’i regjistruar ata nuk ka arritur me kohë”.

Olmo është në pritje dhe nuk e ka ndërmarrë asnjë hap, por nëse Barça nuk arrin ta regjistrojë në ditët apo javët në vazhdim, përfaqësuesi spanjoll do të detyrohet të nënshkruajë me një klub tjetër. 


(Kosova Sot Online)