Fonseca gjen punën e radhës
Lyon pritet të emërojë ish-trajnerin e Milanit, Paulo Fonseca, për të zëvendësuar Pierre Sage.
Trajneri 51-vjeçar mori drejtimin e Milanit këtë verë, por u shkarkua nga klubi italian më 29 dhjetor, pasi skuadra ndodhej në vendin e tetë në Serie A.
Sage u shkarkua nga Lyoni pas një serie prej pesë ndeshjesh pa fitore në të gjitha kompeticionet, që kulmoi me një barazim 1-1 në kampionat kundër Nantes më 26 janar.
Lyon ndodhet në vendin e gjashtë në Ligue 1, 17 pikë pas kryesuesve të kampionatit Paris Saint-Germain, por vetëm katër pikë larg Monakos, që mban vendin e tretë dhe të fundit për kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Në nëntor, Lyon u ndëshkua me një rënie të përkohshme në Ligue 2, kategorinë e dytë të futbollit francez, dhe mori një ndalim për transferime pas një auditimi të financave të klubit.
Direction Nationale du Controle de Gestion (DNCG, organi përgjegjës për mbikëqyrjen e financave të klubeve franceze të futbollit) informoi Lyonin, i cili fitoi titullin francez për shtatë sezone radhazi nga 2001-02 deri më 2007-08, se duhet të përmirësojnë në mënyrë të kënaqshme situatën e tyre financiare deri në fund të sezonit ose do të degradohen nga Ligue 1.
Klubit i është ndaluar regjistrimi i lojtarëve të rinj. John Textor — grupi i të cilit, Eagle Football Group, zotëron 77 për qind të aksioneve të Lyonit, së bashku me aksione në klubin e Ligës Premier, Crystal Palace, kampionët e Copa Libertadores Botafogo dhe RËD Molenbeek të Belgjikës — ka insistuar se “nuk ka asnjë shans” që skuadra e tij të bjerë nga kategoria.
Karriera menaxheriale e Fonsecas filloi në vitin 2007 dhe përfshin periudha te Porto, Braga, Shakhtar Donetsk, Roma dhe Lille. Ai ka fituar nëntë trofe si trajner.
(Kosova Sot Online)