Juventusi përforcon mbrojtjen nga Premier League

  • A.P /
  • 04 February 2025 - 12:09
Juventusi përforcon mbrojtjen nga Premier League

Juventusi ka njoftuar afrimin e Lloyd Kelly, i cili transferohet në Torino në formë huazimi nga Newcastle. Marrëveshja përfshin një opsion blerjeje të detyrueshme, nëse përmbushen disa objektiva gjatë pjesës së mbetur të sezonit. "Zonja e Vjetër" ka njoftuar afrimin e ish-mbrojtësit të Newcastle. Klubi anglez do të marrë menjëherë 3.8 milionë euro për huazimin me pagesë. Marrëveshja parashikon gjithashtu detyrimin e Juventusit për të blerë përfundimisht kartonin e lojtarit nëse plotësohen kushte të caktuara gjatë sezonit 2024/2025," thuhet në deklaratën e bardhezinjve. "Shuma e rënë dakord për blerjen përfundimtare është 14.5 milionë euro, e pagueshme në tri këste, plus shpenzime shtesë prej 2.7 milionë euro." 

Deklarata shton detaje të tjera: "Duke pasur parasysh probabilitetin e lartë të aktivizimit të blerjes së detyrueshme, nga pikëpamja kontabël, operacioni konsiderohet tashmë si një transferim përfundimtar duke filluar nga data e sotme, për një shumë totale prej 17.5 milionë euro, plus shpenzime shtesë. Megjithatë, vlerësimi përfundimtar mbi regjistrimin financiar të operacionit do të bëhet në Raportin Financiar Vjetor më 30 qershor 2025."

Ky është përforcimi i tretë në mbrojtje gjatë merkatos dimërore, pas afrimeve të Alberto Costa dhe Renato Veiga. Këto blerje u bënë të domosdoshme për shkak të dëmtimeve që kanë prekur Bremer dhe Cabal.

Lloyd Kelly është një qendërmbrojtës që mund të luajë edhe si mbrojtës i majtë. Ai u rrit në akademinë e Bristol City dhe debutoi me ekipin e parë në vitin 2017, duke tërhequr vëmendjen për forcën fizike dhe cilësitë teknike. Në vitin 2019, u transferua te Bournemouth-i, ku luajti deri në vitin 2024, me një total prej 141 ndeshjesh dhe tre golash të shënuar.

Verën e kaluar, ai kaloi te Newcastle, ku zhvilloi 14 ndeshje gjatë gjysmës së parë të sezonit. Tani ai bëhet opsion për mbrojtjen e "bardhezinjve".

(Kosova Sot Online)