Broja pritet të jetë gati për Kombëtaren

  • A.P /
  • 06 February 2025 - 15:52
Broja pritet të jetë gati për Kombëtaren

Papritur gjithçka ka ndryshuar. Fati nuk ia ka kthyer shpinën Armando Brojës, dhe të paktën ylli i kombëtares shqiptare ka shpresë të kthehet në fushë shumë më shpejt sesa parashikohej.

Mediat britanike njoftojnë se trajneri i Evertonit, David Moyes ka marrë lajme të mira për sulmuesin shqiptar.

Sipas tyre, 23-vjeçari do të jetë i gatshëm për 4 apo 5 javë, që do të thotë në fillim të muajit mars.

Moyes ka vendosur të mos shpenzojë aspak për ta forcuar repartin ofanziv në ditët e fundit të lejuara për transferime, shkruan abcnews.

Një afat i tillë riaftësimi do të thotë se Broja do të luajë një rol të rëndësishëm këtë sezon tek Evertoni, ndërsa blutë kanë arritur disa rezultate të mira radhazi dhe kanë më shumë shpresë që të mos bien nga Premierliga.

Po ashtu, janë të gjitha mundësitë që futbollisti të jetë në dispozicion të trajnerit të kombëtares, Sylvinho për ndeshjet e para eliminatore të Kupës së Botës, ndaj Anglisë dhe Andorrës, që luhen në 21 mars në “Wembley” të Londrës, dhe në 24 në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.

(Kosova Sot Online)