Ja kush ishte frymëzim për Zlatan Ibrahimoviç

  • A.P /
  • 13 February 2025 - 08:24
Ja kush ishte frymëzim për Zlatan Ibrahimoviç

Futbollisti legjendar Zlatan Ibrahimovic ka zgjedhur një ish-yll të Premier League si lojtarin që pati ndikimin më të madh në karrierën e tij të shkëlqyer.

Edhe pse shumëkush e kundërshton pohimin e tij se është lojtari më i madh i të gjitha kohërave, është e padiskutueshme që Ibrahimovic ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme dhe të suksesshme.

Suedezi ka fituar 57 trofe dhe çmime individuale, duke luajtur për klube të mëdha si Manchester United, AC Milan dhe Paris Saint-Germain.

Dhe, megjithëse kryesisht ia atribuon vetes sukseset e tij, Ibrahimovic ka përmendur një lojtar të veçantë si një figurë që pati një ndikim të madh në zhvillimin e tij.

Gjatë fazave të hershme të karrierës, Ibra u transferua nga Ajax te Juventus, ku një vit më vonë u bashkua me të Patrick Vieira, i cili kishte lënë Arsenal për t’iu bashkuar gjigantëve italianë.

Pavarësisht se kishte qenë një vit më gjatë te Juve, Ibrahimovic ka zbuluar se Vieira nuk vonoi t’i tregonte se çfarë mendonte për të dhe aftësitë e tij në fushë, gjë që e ndihmoi suedezin të përmirësohej.

“Kur e takova te Juventus, ai kishte një mentalitet shumë ndryshe nga lojtarët e tjerë që kisha njohur,” tha Ibrahimovic për L’Equipe në 2018, në një intervistë të përkthyer nga Football Italia.

“Ai gjithmonë më qëndronte nga pas. Unë mendoja se po i bëja gjërat siç duhet, por për të nuk ishte kurrë e mjaftueshme. Më tregoi se duhej të jepja më shumë, të kërkoja më shumë.”

“Më mësoi se luajmë ashtu si stërvitemi. Kështu funksionon: nëse stërvitesh mirë, luan mirë. Nuk kam nevojë të tregoj se çfarë lojtari dhe profesionisti ishte ai.”

Pas një sezoni së bashku te Juventus (2005-06), të dy u transferuan te Inter Milan, pas skandalit të Calciopoli, duke luajtur bashkë për tre vite të tjera.

“Ai ishte një lojtar fenomenal që do të mbetet në histori, por jam i lumtur që e njoha si lojtar dhe si person. Ai pati një ndikim të thellë në lojën time duke më shtyrë të jap 120% çdo ditë, në çdo ndeshje.”

“Nuk jam i befasuar që u bë trajner, ai e kishte tashmë atë brenda vetes: përvoja, pjekuria, mënyra se si ndihmonte të tjerët.”

“Ai ishte gjithmonë i gatshëm të fliste. Ndihmoi shumë lojtarë, jo vetëm mua. Kishte yje të mëdhenj te Juventus në atë kohë, dhe për të kënaqur ata duhej të jepje shumë, nuk merrje asgjë falas.” 

(Kosova Sot Online)