
Jamie Carragher ‘shkatërron’ Chelsean me kritika

Jamie Carragher dha një analizë të ashpër mbi formën e dobët të Chelsea nën drejtimin e Enzo Maresca, gjatë humbjes 3-0 ndaj Brighton – dhe tha se nuk arrin ta kuptojë një problem kryesor në klub.
Skuadra e Maresca-s u gjend në disavantazh 3-0 brenda 70 minutave, në një tjetër ndeshje zhgënjyese për Blutë e Londrës. Chelsea ka fituar vetëm 3 nga 11 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke shfaqur një rënie shqetësuese në formë për tifozët.
Skuadra londineze nuk pati asnjë gjuajtje në portë deri në minutën e 80-të në Amex Stadium, ndërsa luante pa një sulmues të mirëfilltë. Megjithatë, ishte mbrojtja ajo që ngriti më shumë shqetësime për Maresca-n.
Portieri Filip Jorgensen zhvilloi një paraqitje të pasigurt, si në pritjet e tij ashtu edhe në shpërndarjen e topit. Pas një pasimi të gabuar nga danezi, i cili i dha Brighton-it një tjetër mundësi për të shënuar, Carragher nuk e mbajti dot zhgënjimin e tij.
“Ajo që nuk arrij dot ta kuptoj me Chelsea-n nuk është vetëm fakti që ata po shpenzojnë shumë para dhe nuk po luftojnë për trofetë më të mëdhenj. Është fakti që përfundojnë me këtë portier ose që hyjnë në një ndeshje pa një sulmues të mirëfilltë. Nuk mund të ndodhë kjo gjë kur ke shpenzuar kaq shumë para”, tha ai për Sky Sports.
“Ja një tjetër portier i Chelsea-t që duket tmerrësisht i pasigurt. Kjo është kaq e keqe. Kanë shpenzuar një miliard paund dhe kanë mbetur me këta portierë”, vazhdoi ai.
S’ka rëndësi kush është trajneri, cila është skema e lojës apo sistemi. Nëse nuk ke një portier të nivelit të lartë, nuk do të fitosh asgjë.”
Kritikë ndaj Maresca-s dhe pronarëve të Chelsea-t
“Është një nga ato net që si trajner është shumë e vështirë për t’u përballuar. Për Maresca-n, nuk ka asgjë tjetër që mund të thuhet përveçse të pranojë fajin dhe pothuajse të kërkojë falje për këtë paraqitje të keqe. Janë dominuar plotësisht në çdo aspekt. Tani duhet të pranojnë kritikat dhe të rikthehen te fitorja sa më shpejt. Ky sezon po shkatërrohet për ta.”
“Chelsea nuk mund të jetë një klub si ‘projekti’. Nuk mund të presë pesë vjet. Janë një klub që fiton trofe. Ata kishin një model fitues – pse ta ndryshonin duke marrë këta lojtarë të rinj? Ky është një klub i madh. Kanë fituar dy Champions League”, tha Callagher derisa vazhdoi me kritika edhe për pronarët e klubit.
(Kosova Sot Online)