LeBron James e thyen një rekord në NBA

  • A.P /
  • 05 March 2025 - 11:08
LeBron James e thyen një rekord në NBA

LeBron James është bërë lojtari i parë në historinë e NBA që arrin 50,000 pikë të kombinuara, ndërsa ndihmoi Los Angeles Lakers të triumfojnë ndaj New Orleans Pelicans.

Amerikani 40-vjeçar e kaloi këtë shifër historike në fillim të çerekut të parë, gjatë fitores 136-115 të Lakers, duke marrë një pasim nga Luka Doncic dhe duke realizuar një treshe spektakolare nga 7.6 metra largësie.

James – i cili është shënuesi më i mirë në historinë e NBA – e mbylli ndeshjen me 34 pikë, duke çuar totalin e karrierës së tij në 60,149 pikë, 6,000 më shumë se legjenda Kareem Abdul-Jabbar, i cili renditet i dyti.

Totali i pikëve të James përbëhet nga një rekord prej 41,871 pikësh në sezonin e rregullt, të cilave u shtohen 8,162 pikë në fazën play-off, ku ai është gjithashtu shënuesi më i mirë në histori.

“Nuk do ta zbukuroj – është një numër i jashtëzakonshëm pikësh,” tha James.

“Jam jashtëzakonisht i bekuar që kam arritur të shënoj kaq shumë pikë në karrierën time, në ligën më të mirë në botë dhe kundër lojtarëve më të mirë në botë – është diçka shumë e veçantë.”

James arriti këtë moment historik në sezonin e tij të 22-të, duke barazuar Vince Carter për numrin më të madh të sezoneve të luajtura në NBA.

Ai u ndihmua nga performanca e shkëlqyer e Luka Doncic, i cili shënoi 30 pikë, dha 15 asiste dhe kapi 8 kërcime, ndërsa Lakers regjistruan fitoren e shtatë radhazi, duke u ngjitur në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore.

Legjenda e Lakers, Earvin “Magic” Johnson, ishte ndër të parët që e përgëzoi James për këtë arritje historike në rrjetet sociale.

“Urime Mbretit LeBron James për t’u bërë i vetmi lojtar në historinë e NBA që arrin 50,000 pikë të kombinuara në sezonin e rregullt dhe play-off!” shkroi Johnson në X.

Më herët gjatë së martës, James u shpall gjithashtu Lojtari i Muajit në Konferencën Perëndimore të NBA, pasi pati një mesatare prej 29.3 pikë, 10.5 kërcime dhe 6.9 asiste muajin e kaluar, duke u bërë lojtari më i vjetër që e fiton këtë çmim.


(Kosova Sot Online)